“Pa zë”, një udhëtim tronditës e me humor në psikikën femërore

schedule17:43 - 8 Prill, 2022

schedule 17:43 - 8 Prill, 2022

Nga Leontina Nika

Konflikti i brendshëm që ekziston brenda kokës së një gruaje modern është në qendër të shfaqjes “Pa zë “  Pjesa është një realizim i shumë zërave femërorë e cila vjen këtë fund javë në skenën e Teatrit Eksperimental. Drejtori Altin Basha thotë se vepra bashkëkohore merr jetë nga tre artiste të reja dhe premtuese.

“Kam një entuziazëm të veçantë për këtë premierë, sepse krijueset janë të treja të reja. Vepra është tipike kontemporane, dy autore të rëndësishme të teatrit modern, padyshim që kjo e ndihmon profilin krijues të teatrit. Një aspekt tjetër i bukur i këtij produksioni është bashkëpunimi me një aktore të re nga Kosova Vlera Pylla, qëllim është edhe lidhja e dy anëve të kufirit”.

Regjisorja Klaudia Piroli thotë se vepra është një udhëtim tronditës, por me doza humori në psikikën  femërore. Por synimi kryesor është që  përmes kësaj vepre t’i jepet zë shumë grave si në qendër edhe në periferi të Shqipërisë.

“E kam përzgjedhur këtë pjesë, pasi ka thuajse të njëjtën natyrë si 5  veprat që kam shkruar edhe unë. Autoret koreografe Amy Nostbakken dhe Norah Sadava kanë bërë një vepër unike për femrat. Kjo shfaqje përveç anës psikologjike ka një vlerë të shtuar për aktualitetin shqiptar, pasi shumë vajza e gra në periferi dhe qendër të Tiranës shpesh nuk u dëgjohet zëri”

Pikpyetjet, dualizmi i personazhit të Kasandrës jetësohen nga dy aktoret Enisa Hysa  dhe Vlera Pylla.

Shfaqja sjell përpjekjet e Kasandrës për të gjetur zërin e saj në një ditë tragjike që është përcjellja për në banesën e fundit të së ëmës.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!