Pa para dhe i mashtruar, braziliani Vicente rrëfen dramën në Ballsh

schedule09:04 - 20 Maj, 2020

schedule 09:04 - 20 Maj, 2020

Vicente de Paula Mercedes, mbrojtësi që la Ukrainën për të luajtur në Superiore, rrëfen momentet e vështira në Shqipëri. Anësori ka përjetuar një dramë në muajin shkurt, kur mamaja e tij humbi jetën dhe nuk fluturoi dot drejt Brazilit për të qenë në funeralin e saj.

“Nuk ka mënyrë për të shpjeguar atë që kam përjetuar, është diçka unike. Kur nëna ime shkoi në spital, mjekët më thanë se duhet të kthehesha. Bisedova me presidentin e klubit dhe më tha që të mos kthehesha, pasi nuk do të më linte të lirë. Më premtoi se do të më mbështeste, por nuk e bëri”, tregon Vicente.

Mbrojtësi nuk është paguar prek katër muajsh, sikurse thuhet në artikull, ndërkohë që braziliani shton: “FSHF ka vendosur në dispozicion të lojtarëve 250 euro, por nuk ka asnjë mënyrë për të mbijetuar. Duhet t’i dërgojmë para familjes”. Mbrojtësi i Bylisit pretendon se është mashtruar nga një menaxher.

“Menaxheri më kontaktoi, më bëri një ofertë dhe propozimi ishte i mirë. Pranova, por kur mbërrita në Shqipëri gjithçka ishte ndryshe. Më gënjeu. Është diçka e trishtueshme, sepse kemi ardhur këtu për të luajtur, për të përmirësuar jetën dhe tani jemi në këtë situatë. Ndjehem i dekurajuar dhe dua të kthehem në shtëpi”, mbyll Vicente. /abcnews.al