Enkelejd Alibeaj dhe Sali Berisha nuk kanë një objektiv për zgjedhjet lokale të 14 majit dhe kjo për faktin se të dy ata, nuk kanë ndërmend të reflektojnë.
Kështu u shpreh ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli në një intervistë për ABC News.
“Të njëjtën pyetje që më shtruat, unë ua kam bërë dhe grupit të Alibeajt, kontaktet i mbaj me të dyja palët e opozitës, edhe grupit tjetër dhe asnjëra palë nuk jep një përgjigje të ndershme që të thotë, çfarë quan sukses dhe çfarë nuk quan sukses. Nuk ia vënë vetes një objektiv, sepse nuk kanë ndërmend të reflektojnë. Jam i bindur, as Alibeaj nuk ka ndërmend të reflektojë, as Berisha nuk ka ndërmend të reflektojë, as Basha, që po pret që të reflektojnë këta të dy, nuk ka ndërmend të reflektojë. Ai ndyshimi, opozita si alternativë nuk vjen si negociata dhe nga ndryshimi i sjelljes së këtyre që marrin përsipër të drejtojnë. Vjen kur njerëzit shtojnë presionin dhe i braktisin”, theksoi ai.
Sa i takon rezultateve të zgjedhjeve, Kadilli nënvizoi se nuk pret surpriza në bashkitë e mëdha.
“Në asnjë bashki të madhe unë shoh rezultat suprizë, ajo që ka qenë e pritur, ajo do ndodhë. As në Shkodër. Në Shkodër besoj akoma që fiton Partia Demokratike, për historinë e saj politike, jo për propozim politik. Edhe nëse fiton Partia Socialiste në territorin e vet, nuk fiton për propozim të ri politik, fiton për inerci. Nuk është sistem politik përfaqësues, është sistem politik i kryetarëve. Gjithëkush që kërkon të bëjë karrierë, duhet të imitojë kryetarin, duhet të flasë si kryetari, do të thotë, t’i hyjë në zemër kryetarit. Politikë është kjo? Ky është seduktim politik, të mos i japim kuptim tjetër. Duhet t’i japim fund kësaj lloj kulture politike”, shtoi Kadilli./abcnews.al