Në mediat italiane po raportohet prej disa ditësh se Mesut Ozil do t’i bashkohet Milanit në janar, në formë huazimi. Ylli gjerman nuk është në planet e Unai Emery dhe tek Arsenali, minutat kanë qenë me pikatore këtë sezon. Tekniku spanjoll i “Topçinjve” i ka besuar shumë lojtarëve të rinj dhe Ozil shpeshherë nuk është grumbulluar.
Kjo situatë ka krijuar një pakënaqësi të madhe te kampioni i botës, i cili preferon largimin. Milani pritet të përfitojë, me një ofertë huazim me opsion blerje. Sa i takon këtij interesimi të kuqezinjve italianë për Ozil, Emery tha: “Për momentin, Ozil është lojtar i yni. Kaq mund të them për momentin”.
Mesfusha tek Arsenali është e mbingarkuar dhe Ozil vështirë se do të gjëjë hapësira. Xhaka, Guendouzi, Torreira, Ceballos dhe Willock po luftojnë javë pas jave për një vend në formacion, ndaj Ozil nuk shihet si i domosdoshëm nga trajneri Emery./abcnews.al