Mesfushori i Arsenalit me origjinë turke, Mesut Ozil, konfirmoi se nuk do të luajë më me kombëtaren gjermane pasi në Federatën Gjermane të Futbollit është përballur me racizëm dhe diskriminim.
Mesut Ozil konfirmoi tërheqjen e tij nga kombëtarja gjermane, si pasojë e polemikave pas takimit të tij me presidentin turk Erdogan në muajin Maj të këtij viti. Mesfushori i Arsenalit, që u eliminua me Gjermaninë në fazën e grupeve në botërorin Rusi 2018, ishte objekt kritikash për lojën e tij dhe për takimin me presidentin turk.
Lojtari, i cili ka origjinë turke mbrojti veten me anë të një letre të gjatë, ku nuk i kurseu kritikat për Federatën Gjermane të Futbollit. Ozil shpjegoi ndër të tjera se trajtimi që i ishte bërë nga federate gjermane dhe nga shumë të tjerë, e ndalonte atë që të vishte sërish fanellën e kombëtares gjermane. Ai theksoi se ndihej i padëshiruar dhe çdo gjë që ai dhuroi me debutimin në 2009-n ishte harruar.
Duke iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Reinhard Grindel, presidentit të federatës, mesfushori shtoi se personave me qëndrim racial dhe diskriminues nuk u duhet lejuar që të punojnë në federatën më të madhe të futbollit në botë. Kjo pasi sjellja e tyre nuk reflekton lojtarët që përfaqësojnë.
“Në sytë e Grindel dhe njerëzve të tij unë jam gjerman kur fitojmë, por jam emigrant kur humbasim. Me zemër të rënduar dhe pas një reflektimi të gjatë kam vendosur se nuk do të luaj më për Gjermaninë pas kësaj shfaqjeje racizmi dhe mungese respekti”, përfundon Ozil..abcnews.al