Liga Kombëtare e Amerikës së Veriut ka njohur shumë legjenda. Mes tyre, në Hollin e Lavdisë, janë gjigandë të tillë si Uejn Grecki apo Gordi Haui. Kjo dyshe kanadeze, në epoka të ndryshme vendosi rekordet e golave në NHL, fillimisht Haui me 801 e më pas Grecki me 894.
Gjithsesi, kampionati më I fortë I hokejit në akull në të gjithë botën po jeton sot epokën e një tjetër personaliteti të madh. Aleksandër Oveçkin e theu këtë rekord duke pasur tani 895 rrjeta, dhe kulmin e ri e arriti vetëm dy ditë pasi barazoi Greckin.
Kapiteni I skuadrës nga kryeqyteti, Uashington Kapitals, është tani rekordmeni i vetëm. Ish-hokeisti I lindur në kryeqytetin e Rusisë, ish-lojtar I Dinamos së Moskës, u nderua përsëri, edhe pse skuadra e tij pësoi humbje të thellë në “Mollën e Madhe” përballë Nju Jork Ajlendërsve, me shifrat 1-4.
Oveçkin e arriti rekordin në ndeshjen e tij numër 1 487 në NHL, aq sa luajti edhe Grecki në karrierë, veçse kanadezi e pati rekordin e tij me 894 gola në 1 479 ndeshje.
Gjithsesi, Grecki mbetet numri 1 I padiskutueshëm I kontributit për gola në kampionatin më të fortë të botës, pasi përveç 894 rrjetave, ka edhe 1 963 asiste, ndaj vetëm 724 të shërbyer nga Oveçkin.
Kjo do të thotë se kanadezi ka qenë hokeist më I kompletuar, ndonëse rusi mund të thotë se sot është më e vështirë që të shënohet. Gjithsesi, I mbiquajturi “Ovi” mban disa rekorde në ligën e Amerikës së Veriut, si numrin më të madh të golave fitues, të golave në epërsi numerike të një ekipi, më shumë gola në kohë shtesë, dhe më shumë gola për një ekip të vetëm./abcnews.al