Osmani takon shefat e misioneve të OSBE-së në Kosovë, Serbi e Shkup, bisedojnë për veriun

schedule14:28 - 2 Korrik, 2023

schedule 14:28 - 2 Korrik, 2023

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani u shpreh se situata në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës ishin në fokus të takimit të sotëm të tij me shefat e misioneve të OSBE-së në Serbi, Kosovë dhe Shkup, Jan Bratu, Michael Devenport dhe Kilian Vall.

Osmani potencoi se ishte inkurajuese të dëgjonte mendimet e tyre mbi perspektivat e mundshme të planit 9-pikësh për deeskalimin e situatës që ai i paraqiti si Kryesues i OSBE-së.

Sipas Osmanit, udhërrëfyesi i ofruar nxit atmosferë dialogu dhe bashkëpunimi.

“Pata mundësinë të prezantoj prioritetet e Kryesimit tonë të OSBE-së të fokusuar në Europën Juglindore që synojnë forcimin e besimit, luftën kundër korrupsionit dhe veprimin klimatik. Pajtimi është i një rëndësie të veçantë si një hap kyç drejt arritjes së paqes së qëndrueshme dhe bashkëpunimit në rajon.”, shkroi Osmani në Facebook.

Ai falënderoi ambasadorët Bratu, Davenport dhe Vall për punën dhe përkushtimin e tyre në përpjekjet për stabilitet dhe prosperitet.

Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

Ndërkaq, më (29 qershor), Kurti ka paraqitur propozimin e ri për shtensionimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkretë që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës.

/KosovaPress/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!