Në fjalën e saj, në Parlamentin Evropian, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u ndal edhe në agresionin rus në Ukrainë. Para deputetëve europianë, Osmani tha se Kosova më shumë se kushdo e përjeton dhimbjen e ukrainasve. Ndonëse një vend i vogël, Osmani tha se Kosova është e gatshme të bëjë cdo gjë në mbështetje të Ukrainës, ndërsa theksoi se ishte vendi i parë në rajon që mori sanksione ndaj Rusisë.
“Ky moment kërkon që liderët të bëhen bashkë të marrin vendime të guximshme. Duhet të na bashkojnë vlerat, secili prej nesh mundet dhe duhet të luajë rolin e tij apo të saj.
Fjalët nuk duhet të jenë thjesht slogan. Vetëm dy dekada më parë, tani shohim edhe një shkatërrim të plotë në Ukrainë, populli e imagjinon dhimbjen e Ukrainës, e kemi përjetuar. Kemi humbur familjarë prej dhunës, shumë vijojnë të jenë të humbur. Kur themi qëndrojmë me Ukrainën, e ndjejmë në cdo fije të qenies sonë.
Më 24 shkurt 2022 ishte ditë e zezë për Europën, por ishte kujtim i jetuar për ne. Sot qëndrojmë krah Ukrainës. Është dëshmi e unitetit të palëkundur, përkushtimit ndaj paqes e demokracisë. Është koha jonë për të dhënë shembullin e solidaritetit. Kosova mund të jetë vend i vogël, por jemi të gatshëm të bëjmë cdo gjë. Ishim vendi i parë në rajon që vendosëm sanksione ndaj Rusisë. Jemi të gatshëmn të bëjmë edhe më shumë.
Gjatë historisë sonë jemi përballur me sfida të mëdha e të vështira, për të qënduar sot me krenari si shtet i pavarur. Që nga pavarësia në 2008, institucionet e Kosovës kanë nisur një rrugëtim të jashtëzakonshëm, kemi punuar pa ndalur për të forcuar institucionet tona.” u shpreh Osmani.
Duke përfshirë edhe themelet e vendit tim, përkushtimi ndaj drejtësisë është i palëkundur, jemi të vendosur që drejtësia të vihet në vend për të gjithë, pavarësisht pozicioneve të tyre. Jemi të vendosur të luftojmë korrupsionin.
Në fjalën e saj, Osmani ka rrëfyer historinë e Kosovës nëpërmjet fateve personale të: Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit, Blerta Bashollit, Egzon Sylës, Hana Qerimit dhe gazetares ukrainase Liudmyla Makei, të cilët janë pjesë e delegacionit të Presidentes në këtë adresim.
“Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot. Ky është përfaqësimi i vërtetë i Republikës sonë të dashur – që përfaqëson historinë e trishtë dhe sfiduese të Kosovës, si dhe frymën e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe vendosmërisë që është një premtim për një të ardhme më të madhe”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.
Presientja Osmani tha se Vasfije Krasniqi Goodman ishte ajo që e kuptoi se plagët thellohen në heshtje.
“Sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, tha ndër të tjera Presidentja Osmani.
“Populli im e njeh edhe ndjenjën e pakrahasueshme të lirisë dhe paqes. Dhe, shpresoj se populli i Ukrainës së shpejti do t’i përjetojë këto ndjenja ndërsa e fiton luftën ndaj agresionit të Rusisë”, ka thesuar ndër të tjera Presidentja Osmani.

