Osmani konfirmon koalicionin me Kurtin: Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër

schedule13:03 - 9 Tetor, 2019

schedule 13:03 - 9 Tetor, 2019

“Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”. Kështu ka deklaruar kandidatja e LDK për kryeministre e Kosovës Vjosa Osmani. Përmes një postimi në rrjete sociale, Osmani shprehet se: “Qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme”.

Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Të dashur qytetarë të vendit tim,

Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e Kosovës. Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë. Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen. I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim. Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku.

Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.

Unë do të punoj dhe do t’i shërbej vendit tim, pavarësisht se ku jam.

Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!

E juaja,

Vjosa”

Ndërkaq më herët u deklarua se të enjten pritet një takim ndërmjet kryetarit të Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurtit me kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidaten për kryeministre Vjosa Osmanin.

Këtë e ka konfirmuar vetë kreu i “Vetëvendosjes” Albin Kurti, parti kjo e cila në bazë të rezultateve ka fituar zgjedhjet në Kosovë.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nëpërmjet një statusi në Facebook ka bërë të ditur se do të takohen për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. “Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së”,  ka shkruar Mustafa.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!