Osmani fton presidentin e Senegalit ta vizitojë Kosovën

schedule22:39 - 22 Shtator, 2021

schedule 22:39 - 22 Shtator, 2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka takuar presidentin e Senegalit, Macky Sall.

Siç thekson komunikata presidenciale, Osmani falënderoi presidentin Sall për angazhimin e Senegalit për njohjen dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Ndër të tjera ajo thekson se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Senegalit dhe shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin.

“Vitin e ardhshëm, vendi juaj do ta marrë kryesimin e Unionit Afrikan. Kjo do të jetë edhe një mundësi më shumë për ta zgjeruar dialogun me vendet e kësaj organizate, për ta njohur më mirë vendin tonë dhe për t’i zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit me këtë union”, ka thënë ajo.

Ajo u shpreh e bindur se Senegali do të jetë një zë i fuqishëm dhe një urë lidhëse e fortë për raportet me vendet afrikane.

Presidentja theksoi rëndësinë e vizitave të ndërsjella, jo vetëm të krerëve institucionalë, por edhe të njerëzve të kulturës e të artit, të shëndetësisë e të arsimit. Ajo e ftoi presidentin e Senegalit që ta vizitojë Kosovën gjatë presidencës së Unionit Afrikan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!