Në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë përkujtuar miliona hebrenj të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se gjenocidi ndaj hebrenjve është barbaria më e madhe që ka njohur historia deri më sot.
“Duhet ta kujtojmë dhe të ndihemi krenar për ndihmën të cilën shqiptarët i dhanë komunitetit hebraik në vitet e trishtimit. E përderisa kujtojmë kalvarin e hebrenjve, nuk ka si të mos përmendet edhe ndihma e shtetit izraelit ndaj kosovarëve të dëbuar dhunshëm në luftën e vitit 1999”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Holokausti do të kujtohet përgjithmonë.
Gjithashtu kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Holokausti ishte një prej kapitujve më të errët të Luftës së Dytë Botërore.
“Populli shqiptar bashkëndjen me vuajtjet e popullit hebre. Unë jam krenar që si popull shqiptar, gjatë periudhës më të vështirë të Luftës së Dytë Botërore, kemi ndihmuar pjesëtarë të këtij komuniteti, të gjejnë strehim në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo tregon përkushtimin e familjeve shqiptare për t’u dalë në ndihmë këtij populli në momentet më të vështira”, është shprehur ai.
/abcnews.al/