Oshilacionet e lirës turke, Erdogan akuzon Perëndimin

schedule23:50 - 28 Mars, 2019

schedule 23:50 - 28 Mars, 2019

Presidenti i Turqisë Erdogan akuzon Perëndimin për luhatjet e lirës turke. Sipas  tij, ato janë një përpjekje për të manipuluar zgjedhjet administrative, një proces ku partia e kreut të shtetit rrezikon të humbasë bastionet kryesore, përfshirë Ankaranë dhe Stambollin.

Presidenti Recep Taip Erdogan ka deklaruar të enjten se është ai në krye të ekonomisë turke, teksa rriti presionin ndaj bankës qendrore të Turqisë për të shkurtuar normat e interesit, pavarësisht inflacionit me dy shifra dhe lirës së zhvlerësuar.

Për këtë të fundit Erdogan ka akuzuar Perëndimin me në krye Shtetet e Bashkuara, që sipas tij kanë ndërmarrë një operacion për t’i bërë kontrast Turqisë.

“Bëhet fjalë për një përpjekje manipulimi teksa Turqia ndodhet në një periudhë elektorale”, ka deklaruar Erdogan, tre ditë nga mbajtja e zgjedhjeve administrative.

Në këto zgjedhje, partia e presidentit, që qeveris Turqinë që prej vitit 2002, ka gjasa të pësojë humbje të mëdha për shkak të pakënaqësisë së krijuar mes votuesve si pasojë e situatës së rëndë ekonomike.

Ditën e enjte lira turke ra me 5 për qind kundrejt dollarit, pasi bankat nisën të ofronin sërish likuiditet, operacion ky që për ditë të tëra ishte ndaluar nga autoritetet me qëllim përforcimin e monedhës vendase.

“Kush është kryetar shteti tani? Është Taip Erdogan bashkë me 14 ministra. Jam unë në krye të ekonomisë turke”, ka thënë Erdogan në një miting elektoral të mbajtur në Ankara.

Sondazhet elektorale sugjerojnë se partia e tij mund të humbasë kontrollin e kryeqytetit dhe ndoshta edhe të Stambollit, qyteti më i madh i Turqisë ku Erdogan ka shërbyer si kryetar bashkie.

Kjo do të ishte një goditje e rëndë për një parti që ka udhëhequr ndër vite, edhe gjatë periudhës së lulëzimit të ekonomisë turke./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!