Për Ministrin e Brendshëm Taulant Balla vetëpastrimi në Policinë e Shtetit duhet te vazhdoje çdo ditë në mënyrë sistematike.
Teksa ishte në krah të të ngarkuarit me Punë të SHBA në Tiranë David Ëisner, Balla deklaroi se ka ardhur koha që çdo punonjës i Policisë së Shtetit të zgjedhë mes uniformës, zbatimit të ligjit apo bashkëveprimit me krimin.
“Procesin e vetëpastrimit në Policinë e Shtetit duhet ta vazhdojmë çdo ditë në mënyrë sistematike, për ta çuar këtë proces në një nivel tjetër. Sepse në një nivel tjetër duhet të çojmë besueshmërinë e qytetarëve shqiptarë tek Policia. Sa më shumë luftojmë korrupsionin brenda policisë së Shtetit, aq më shumë rritet besimi i qytetarëve”, ka thënë Balla.
Deklaratat Balla i bëri gjatë një takimi në Kakavijë, ku panë nga afër instalimin e pajisjeve të reja që shërbejnë për kontrollet kufitare dhe mbikëqyrjen e kufirit të gjelbër dhe blu, dhuruara nga Qeveria Amerikane.
Një ditë më parë, ministri Balla firmosi urdhrin që ka bashkëlidhur formularin për vetëdeklarim të çdo punonjësi policie, nëse ka patur akses në aplikacionet SKY ECC/Encro Chat.
Duke iu drejtuar forcave kufitare në jug të vendit, ministri u ndal tek rasti i arrestimit të një zyrtari policie në Kapshticë, ku theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë.
Nga ana e tij Ambasadori në detyrë i SHBA-së në Tiranë, David Wisner, theksoi se siguria e Shqipërisë, është edhe siguri e SHBA-ve.
/abcnews.al/