OSBE-ODIHR raportoi për presione ndaj zgjedhësve/ Aleksandër Vuçiç mbron fitoren: Zgjedhje të ndershme në vend

schedule22:24 - 18 Dhjetor, 2023

schedule 22:24 - 18 Dhjetor, 2023

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka folur pas zgjedhjeve të zhvilluara në Serbi duke komentuar edhe akuzat e opozitës.

“Ne kemi ndryshuar fytyrën e Serbisë”, tha Vuçiç gjatë fjalës së tij. Vuçiç është shprehur se në Serbi janë zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se sipas tij qytetarët treguan se duan siguri dhe stabilitet.

“Kemi pasur zgjedhje të ndershme, të cilat janë rezultat i fushatës dhe punës së palodhur. Qytetarët kanë treguar qartë se duan siguri dhe stabilitet dhe do ta kenë”, ka thënë ai.

Partia populiste e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç fitoi zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të mbajtura të dielën në Serbi, sipas rezultateve paraprake të komisionit zgjedhor. Partia Progresive Serbe ka fituar 47 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që koalicioni opozitar Serbia Kundër Dhunës fitoi 23 për qind.

Pavarësisht deklaratave të Vuçiç, parregullsitë janë raportuar nga vëzhguesit e zgjedhjeve dhe mediat e pavarura.

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë deklaroi të hënën se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i Presidentit, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë minuar procesin zgjedhor në tërësi.”

Sipas OSBE-së, këta faktorë krahas njëanshmërisë së mediave “krijuan një fushë të pabarabartë për garë.”

Sipas raporteve, serbë nga Bosnja janë dërguar në mënyrë të organizuar me autobusë për të votuar në Beograd, rreth 40,000 dokumente identifikimi u janë lëshuar njerëzve që nuk jetojnë në kryeqytet, ndërkohë që në një qytet verior të Serbisë një ekip vëzhguesish është sulmuar dhe makina a tyre është goditur me shkopinj bejzbolli. Partia në pushtet është akuzuar se ka paguar votuesit apo ka bërë trysni mbi ta.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!