OSBE/ODIHR raport paraprak për zgjedhjet e 30 qershorit

schedule20:05 - 14 Qershor, 2019

schedule 20:05 - 14 Qershor, 2019

OSBE/ODIHR ka nxjerrë një raport paraprak për zgjedhjet e 30 qershorit. Në përshkrimin që i bëjnë situatës, nënvizohet se mjedisi politik mbetet i polarizuar dhe se diskursi politik është dominuar përgjithësisht nga pyetja nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore.

Zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në të gjitha 61 bashkitë po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike mes Partisë Socialiste (PS) në pushtet dhe opozitës ku kjo e fundit është tërhequr nga Parlamenti në muajin shkurt.

Është ky përshkrimi që i bën OSBE/ ODIHR në raportin paraprak për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Në këtë raport nënvizohet se në 31 bashki, kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie garojnë pa kundërshtarë. Kodi Zgjedhor nuk përmban asnjë rregullim specifik për zgjedhje pa kundërshtarë.

Opozita u tërhoq në dhjetor 2018 nga procesi i reformës zgjedhore që rifilloi pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës thuhet në raportin e OSBE/ODIHR.

Më 10 qershor, Presidenti dekretoi shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit që shfuqizonte dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit.

Mjedisi politik mbetet i polarizuar. Diskursi politik është dominuar përgjithësisht nga pyetja nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore. Gjuha e përdorur nga kundërshtarët politikë në mitingje, në mediat sociale dhe në median e shkruar dhe elektronike është shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundërakuza./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!