OSBE: Aktorët politikë të angazhohen në një dialog

schedule22:18 - 13 Qershor, 2019

schedule 22:18 - 13 Qershor, 2019

Për krizën politike në Shqipëri ka reaguar edhe asambleja parlamentare e OSBE. Në një deklaratë të Presidentit George Tsereteli thuhet se pavarësisht rekomandimeve të OSBE, po shihet rritje e tensionit politik në Shqipëri me zhvillime të fundit, të cilat kërcënojnë të kthejnë mosmarrëveshjet politike në një krizë kushtetuese.

“Serioziteti i situatës kërkon që aktorët politikë në Shqipëri të angazhohen në një dialog gjithëpërfshirës pa parakushte dhe të ulen për dialog me mirëbesim. Dialogu duhet të synojë shmangien e përshkallëzimit shkatërrues të krizës, duke adresuar njëkohësisht edhe shqetësimet legjitime të qytetarëve”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa Shqipëria përgatitet të marrë kryesinë e OSBE në vitin 2020 dhe pret një vendim nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave, është e domosdoshme që të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre, që janë të rëndësishme për synimet strategjike të Shqipërisë e të shumicës dërrmuese të shoqërisë shqiptare. President Tsereteli shton se kuadri ligjor shqiptar duhet të mbështetet e respektohet nga të gjithë udhëheqësit politikë.

Asambleja parlamentare e OSBE ka besim se me vullnetin e nevojshëm politik, aktorët politikë në Shqipëri i kanë të gjitha aftësitë e duhura që të çojnë vendin përpara e t’i tregojnë OSBE-së anën më të mirë të Shqipërisë. Asambleja Parlamentare thuhet në deklaratë do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri, me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj ambicieve dhe dëshirave të popullit të saj./ABC News Albania 24/7