Deputetja e PD Orjola Pampuri paralajmëron se do të ketë edhe personazhe të tjerë “non grata” edhe nga Partia Socialiste.
“Përgjatë të gjithë kësaj interviste kam përmendur korrupsionin që është përfshirë kjo qeveri dhe pa diskutim, sikurse e kemi dëgjuar shpesh të artikulohet, do të kemi edhe personazhe të tjerë “non grata” dhe nga Partia Socialiste”, tha ajo për “Gazeta Shqiptare”.
Lidhur me afatin e vendosur sot për Lulzim Bashën që të dorëzojë detyrën, Pampuri shprehet se “kryetari nuk mund të ikë sa herë që ka pakënaqësi personale”. Anëtarja e kryesisë së PD-së flet për aksionin e opozitës, teksa shpreh keqardhjen se prej 4 muajsh u harrua kundërshtari politik, Edi Rama. Pampuri apelon se duhet vijuar beteja me kundërshtarin e vetëm politik, PS-në dhe Edi Ramën.
“Tani këto afatet në emër të anëtarësisë, se kështu i pëlqen njërit apo tjetrit, më duken totalisht qesharake. Forca, kërcënimi, shantazhi, dhuna, thyerja e dyerve, besoj nuk janë zgjidhja. Çdo institucion ka rregulla të shkruara e të pashkruara. PD-ja ka një statut, në bazë të të cilit kryetari zgjidhet një herë në 4 vite me “një anëtar, një votë” dhe kjo gjë ndodhi, zgjedhjet u bënë, u mblodh kuvendi, zgjodhi Këshillin Kombëtar, ky i fundit zgjodhi me votë të hapur dhe me votë të fshehur kryesinë, pra çdo procedurë vijoi në bazë të statutit. Sigurisht, nuk mund të rikthehemi sa herë kemi pakënaqësi personale e të kërkojmë largimin e kryetarit të partisë. Kjo është absurde. Nga ana tjetër, as nuk mund të mendohet që të pushtohet një institucion e të përdorësh në përballje për inate personale. Unë jam e bindur që shqiptarët sot duan largimin e Edi Ramës, duan punë, duan më shumë të ardhura për të përballuar jetesën e nuk mund të pranojnë kurrsesi të përdoren për interesat e njërit apo tjetrit”, shtoi deputetja. /abcnews.al