“Oriz në vend të kokainës”, në arrati prej një viti, GJKKO pezullon çështjen për Gentian Maldinin

schedule09:35 - 15 Qershor, 2021

schedule 09:35 - 15 Qershor, 2021

Gjykata e Posaçme pezullon çështjen për Gentian Malindin i akuzuar për trafik kokaine në lidhje me drogën që u kap në Durrës disa kohë më parë, sasi e cila u zëvendësua me oriz në Greqi. Pezullimi për një vit  erdhi për shkak se i pandehuri nuk gjendet pasi është në arrati.  Ndërkohë vijon procesi për Ardian Begen e Altin Myslihaken.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion mori të pandehur biznesmenin Gentian Malindi, peshkatarin Altin Myslihaka dhe punonjësin e sigurisë në portin e Durrësit, Adrian Bega të cilët dyshohen si të përfshirë në trafikimin e 137 kg kokainë nga Ekuadori. Sasia e kokainës u bllokua në Portin e Pireut dhe u zëvendësua me oriz.

Gentian Malindi i cili ndodhet në arrati, është konsideruar nga hetimet si personi që ka dalë garant për të marrë drogën nga kontejneri e më pas për ta dërguar në destinacionin e përcaktuar nga grupet kriminale. Gjatë transportit Malindi, ka zbuluar se në pakot ku mendonte se kishte kokainë ishte futur oriz dhe lokalizues satelitor, duke e hedhur çantën menjëherë nga automjeti që ishte në vëzhgim nga Forcat Operacionale Speciale.

Në burg për këtë ngjarje janë Ardian Bega, oficeri i sigurisë në Portin e Durrësit, si dhe punëtori në anijen e Gentian Malindit, Altin Myslihaka. Prokuroria ka dyshime se të implikuar në trafikimin e 137 kg kokainë janë disa anëtarë të tjetër të grupeve kriminale që veprojnë brenda territorit Shqiptar kryesisht në Elbasan, Fier e Vlorë. e.l/abcnews.al/