Gjykata e Apelit për Krime të Rënda la në fuqi masën “arrest në burg në mungesë” për Gentian Malindin, i dyshuar si i përfshirë në trafikimin e 137 kg kokainë të kapura në Portin e Durrësit. Avokati, njëkohësisht babai i tij, Ilir Malindi tha se do të bëjë kallëzim penal pasi pretendon se është falsifikuar procesverbali i dëshmisë së Ardian Begës.
Dyshohet si personi që ka porositur 137 kilogram kokaine të kapura në portin e Durrësit, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masën “ arrestit me burg në mungesë” për biznesmenin Gentian Malindin. Sasia prej 137 kg kokainë ishte nisur nga Ekuadori, do kalonte nëpër vendin tonë dhe destinacioni final ishte tregu Europian.
Avokati, që është dhe babai i Gentian Malindit, Ilir Malindi pas përfundimit të seancës akuzoi drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe policinë, për shpërdorim detyre. Ndërsa u pyet nga gazetarët nëse kishte komunikuar, me të birin dhe a do të dorëzohet Gentian Malindi i ati deklaroi se djali i tij do të dorëzohet dhe të japë shpjegimet e tij kur të dalë e vërteta.
Më herët togat e zeza të Apelit për Krime të Rënda kanë lënë më burg oficerin e policisë së Portit të Durrësit Ardian Bega dhe Altin Myslihakën. Ishte DEA amerikane, ajo që sinjalizoi autoritetet greke se në Portin e Pireut kishte mbërritur një sasi prej 137 kilogramë kokainë, që vinte nga Ekuadori me destinacion final Shqipërinë.
Kokaina ishte fshehur në motorët e frigoriferëve në katër kontenierë me banane, të porositura nga një kompani shqiptare, e cila operon në treg nga viti 2011. Autoritetet greke kanë informuar policinë shqiptare pas zbulimit të drogës dhe më pas kanë vendosur që ta zëvendësonin drogën me oriz, dhe brenda pakove të vendoseshin GPS.
Kontenierët me banane kanë kaluar tranzit në portin e Pireut. Sipas burimeve nga grupi hetimorë të dyshuarit kanë hapur vetëm kontenierin me targë 313 duke hequr me një kaçavidë pllakën metalike dhe duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore. Pako të cilat në vend të 137 kg kokainë kishin 136 kg oriz e gips si dhe 1 kg kokainë./ABC News Albania