Me gjasë po e mbyll ciklin dhe nuk do ta kthejë kokën pas.
Orges Shehi dhe Tirana pritet të jetë një dyshe që do të ndahet, edhe pse ende nuk është marrë ndonjë vendim.
Nga Maqedonia e Veriut vjen lajmi se trajneri i kryeqytetasve është në bisedime me Shkëndinë e Tetovës, dhe se akordi mund të arrihet shpejt.
Shehi përfundon kontratën me bardheblutë dhe deri tani nuk ka pasur zëra për rinovim.
Ish-portieri i shquar durrsak, tashmë në profesionin e trajnerit, u kërkua nga Shkëndija edhe vitin e kaluar, por vendosi të respektonte kontratën tek Tirana.
Në stolin bardheblu, Shehi fitoi titullin sezonin e kaluar, ndërsa këtë edicion luftoi deri në javën e fundit duke e mbyllur Superligën me pikë të barabarta me Partizanin që u shpall kampion.
Tekniku ka edhe një sfidë të mbetur me Tiranën, pasi do të luajë finalen e Kupës ndaj Egnatias së Rrogozhinës.
Shkëndija e Tetovës, ndërkaq, është skuadra më e njohur e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, dhe aty kanë punuar edhe trajnerë të tjerë nga Shqipëria si Shpëtim Duro dhe Ernest Gjoka./ h.ll/abcnews.al