Organizatorë të “referendumeve”, Ukraina nis hetimet për 4 zyrtarë të mbështetur nga Rusia në rajonet e pushtuara

schedule16:26 - 26 Shtator, 2022

schedule 16:26 - 26 Shtator, 2022

Shërbimi Sekret i Ukrainës ka bërë të ditur të hënën se ka njoftuar katër zyrtarë të mbështetur nga Rusia në territoret e pushtuara se janë të dyshuar për krime. Bëhet fjalë për organizuesit e të ashtuquajturve referendume në rajonet Donetsk dhe Luhansk.

“Shërbimi Special i Ukrainës vërtetoi se këta individë luajtën role kyçe në organizimin dhe mbajtjen e një plebishiti të rremë në Ukrainën lindore,” tha SBU.

SBU tha se të katër burrat, “në bashkëpunim me persona të tjerë”, iu drejtuan Republikave Popullore të vetëshpallura të Luhansk dhe Donetsk “me iniciativën e mbajtjes së një referendumi të rremë në territoret e pushtuara përkohësisht nga armiku, dhe gjithashtu propozuan ndarje të menjëhershme nga Ukraina dhe bashkimi me Federatën Ruse”.

Ata u identifikuan si Volodymyr Vysotsky, “kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të DPR”; Olena Kravchenko, “kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të LPR”; Oleksandr Kofman, “kreu i Dhomës Publike të DPR”; dhe Maryna Filipova, “këshilltare e kreut të Republikës Popullore të Luhanskut”.

SBU tha se burrat do të “shpalleshin në kërkim në të ardhmen e afërt”.

Kujtojmë këtu se autoritetet në Kiev dhe vende të tjera perëndimore thonë se të ashtuquajturat referendume nuk janë legjitime pasi rezultati i tyre është i paracaktuar. Po ashtu, sipas shumë raportimeve, ukrainasit i kanë plotësuar formularët nën kërcënimin e armës. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!