Pas një hetimi disa mujor, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar në total masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e një organizate kriminale, një ish zyrtar i lartë policie, një ish gjyqtar, një avokat dhe dy gazetarë.
Mësohet se 18 prej masave të sigurisë janë “Arrest me burg”, ku shumica prej tyre kanë qenë të arrestuar më parë. “Arrest me burg” është caktuar për ish gjyqtaren Pajtime Fetahu si dhe për ish zyrtarin e lartë të policisë Dedan Gjonin.
Pajtime Fetahu aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpi” me vendim të gjykatës së Posaçme dhënë në gusht të vitit 2024. Ajo po hetohet për korrupsion për shkak se doli në bisedat e Sky Ecc, gjatë operacionit ‘Plumbi i artë 2” që zbuloi aktivitetin e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Çopja në Elbasan.
Ndërkohë edhe Dedan Gjoni, aktualisht është në burg i dënuar nga Gjykata e Posaçme me 4.8 vit burg. Ish shefi i krimeve u arrestua rreth një vit më parë pas hetimeve të dosjes, të ‘Metamorfoza 2’. Akuza e Gjonit në këtë dosje ka qenë për sigurim kushtesh për vrasjen e Xhevdet Plakkut.
Në arrest shtëpie është lënë, Blerina Beqiri për shkak se ka rezulatuar si e përfshirë në grupin kriminal të goditur nga SPAK.
Sakaq, masë sigurie “Detyrim Paraqitje” është dhënë edhe për dy gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët akuzohen për korrupsion pasiv në sektorin privat. Ata u paraqitën të hënën para prokuorisë së Posaçme ku tërhoqën edhe dosjet e hetimit ndaj tyre.
Për të njëjtin operacion policia mësohet se ka ushtruar kontrolle edhe në banesat e disa ish gjyqtarëve që kanë qenë pjesë e sistemit në Gjykatën e Elbasanit.
Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë i po mbështetet edhe nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane./abcnews.al