Organizata: Në Siri është përdorur gaz me klor

schedule14:59 - 16 Maj, 2018

schedule 14:59 - 16 Maj, 2018

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka konfirmuar se në rajonin Idlib është përdorur gaz me klor gjatë disa bombardimeve. Megjithatë organizata nuk ka përcaktuar se nga kush është kryer ky sulm.

Gaz klori është përdorur “me shumë mundësi” në një sulm të ndodhur në Siri në muajin Shkurt të këtij viti në qytetin Saraqib, në provincën veri-perindimore të Idlib. Ky është përfundimi i dalë nga inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, të cilët nuk kanë përcaktuar ndonjë palë përgjegjëse për këto sulme.

Sipas një raporti të bërë publik nga kjo organizatë, në Shkurt, gazi me klor është lëshuar nga disa fuçi të përdorura për një bombardim në një lokalitet që gjendej në duart e opozitës. Sulmet janë kryer nga ushtria e Presidentit Bashar al-Assad. Të parët që kanë denoncuar përdorimin e armëve kimike në Saraqib, ishin kaskat e bardha të Mbrojtjes Civile Siriane.

Organizata po heton për denoncime të ndryshme për sulme kimike, mes të cilave dhe një që ka ndodhur me 7 Prill në Douma të Gutës Lindore, që sipas burimeve të aktivistëve ka shkaktuar qindra viktima. Mandati i saj është thjeshte të saktësojë nëse janë përdorur substanca të ndaluara kimike dhe jo të përcaktojë përgjegjësit.

Ndërkohë, SHBA, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë akuzuar regjimin e Assad si autor të sulmit makabër. Një javë pas 7 Prillit, këto 3 vende zhvilluan bombardime ajrore kundër depozitave të armëve kimike që u përkisnin forcave qeveritare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!