Kryeministri hungarez Viktor Orbán njoftoi se propozimi për një armëpushim në Ukrainë gjatë Krishtlindjeve është ende i vlefshëm dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të marrë përgjegjësinë nëse do ta pranojë atë apo jo.
“Propozimi i armëpushimit është në tryezë. Merre ose lëre. Është përgjegjësia jote”, ka shkruar Orbán në rrjetin social X.
Orban tha se mundësia e një shkëmbimi masiv të të burgosurve të luftës dhe shpallja e një armëpushimi të Krishtlindjeve është në tryezë.
“Njëra palë e pranoi, ndërsa tjetra duket se e ka refuzuar. Por ka edhe pak ditë deri në Krishtlindje dhe shpresojmë për më të mirën”, deklaroi Orban.
Orban tha një javë më parë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky hodhi poshtë propozimin e Hungarisë për Ukrainën për të vendosur një armëpushim me Rusinë për Krishtlindje dhe për të kryer një shkëmbim në shkallë të gjerë të të burgosurve./abcnews.al