Hungaria nuk do të largohet nga Bashkimi Europian, por do t’i rezistojë përpjekjeve të Brukselit për të minuar sovranitetin e saj, tha kryeministri Viktor Orban në një deklaratë sot. Nacionalisti Orban, i cili do të përballet me zgjedhje të vështira vitin e ardhshëm, për herë të parë në më shumë se dhjetë vite, u rizgjodh sot president i Fidesz.
“Pas burokracisë komuniste, ne nuk duam urdhra të rinj nga Brukseli,” u tha Orban përfaqësuesve të partisë, duke shtuar se Hungaria do të refuzonte liberalizmin perëndimor. “Ne nuk do të heqim dorë nga e drejta për të mbrojtur kufijtë tanë dhe për të ndaluar emigrantët. Ne këmbëngulim që martesa në Hungari është midis një burri dhe një gruaje, një baba është një burrë dhe një nënë është një grua”.
58-vjeçari Orban e ka promovuar veten si një mbështetës i identitetit kulturor të Hungarisë kundër imigrimit mysliman në Europë dhe një mbrojtës i vlerave të krishtera kundër liberalizmit perëndimor. Kjo politikë e ka bërë atë shumë të popullarizuar në vend, veçanërisht në mesin e votuesve të Fidesz, por ka marrë kritika nga grupet e të drejtave të njeriut dhe aktivistët LGBT, raporton abcnews.al
Orban tha se BE-ja duhet të reformohet dhe se qëllimi i Hungarisë ishte të arrinte ndryshimin, jo të largohej nga Bashkimi Europian në të cilin u bë pjesë në 2004.
“Ne nuk duam të largohemi nga BE-ja, ata nuk mund të na heqin qafe kaq lehtë”, tha ai. Ne duam të ruajmë sovranitetin tonë”.
Në zgjedhjet parlamentare, të cilat ndoshta do të zhvillohen në prill 2022, Orban do të përballet me një front të bashkuar të partive opozitare që përfshin socialistët, liberalët dhe ish-të djathtën ekstreme.
Aleanca gjashtëpalëshe udhëhiqet nga Peter Markey-Zai, një katolik konservator 49-vjeç, baba i shtatë fëmijëve dhe kryetar bashkie i një qyteti të vogël që duket se mishëron vlerat tradicionale të mbrojtura publikisht nga Orban dhe që konsiderohet si një kundërshtar i ashpër.
Gjatë javëve të fundit, Orban ka bërë një sërë premtimesh, duke përfshirë 2 miliardë dollarë rimbursim të taksave familjare, dhe ka rritur retorikën e tij kundër emigrantëve.
/abcnews.al



