Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka fajësuar vetë emigrantët dhe politikanët europianë për viktimat në detin Mesdhe në përpjekje për të arritur në Europë. Orban theksoi se kriza e emigrantëve duhet të jetë një çështje individuale për çdo shtet anëtar të Bashkimit Europian.
Në një intervistë për gjermanen “Bild”, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, fajëson vetë emigrantët dhe politikanët e Bashkimit Europian për mbytjet në detin Mesdhe. Sipas tij, politikanët europianë inkurajojnë emigrantët duke i lënë të mendojnë se udhëtimi ia vlen.
Më tej, ai shton se emigrantëve mund t’iu shpëtohet jeta vetëm nëse i ndalojnë të nisen. Orban thekson se politikat e emigrimit nuk duhet të shihen si një detyrë e përbashkët e Bashkimit Europian, por si një çështje kombëtare e secilit shtet anëtar.
Duke kritikuara shpër kancelaren gjermane Merkel, kreu i ekzekutivit hungarez tha se nëse do të kishte bërë në Hungari atë që Merkel ka bërë në Gjermani, populli i tij do e kishte rrëzuar nga pushteti.
Sipas organizatës ndërkombëtare të emigrantëve janë më shumë se 1500 emigrantë që kanë humbur jetën në Mesdhe që nga fillimi i këtij viti. Që nga 1 Janari e deri në 25 Korrik të këtij viti janë 55 mijë emigrantët që kanë hyrë në Europë./abcnews.al