Kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili ndodhet për një vizitë në Berlin, kritikoi sot ndryshimet e shkaktuara nga imigracioni masiv në Gjermani “i cili nuk ngjan më” me atë që ishte dikur.
“Nëse e krahasoj me vendin siç ishte dhjetë vjet më parë, stili nuk është i njëjtë, aroma nuk është e njëjtë”, tha ai.
Kryeministri nacionalist, i njohur për pikëpamjet e tij kundër emigracionit, do të takohet pasdite me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Të mërkurën mbrëma, të dy liderët ndoqën ndeshjen e futbollit midis ekipeve kombëtare të Hungarisë dhe Gjermanisë në kuadër të Euro 2024.
Orban tha se vendi ka ndryshuar plotësisht, me “qindra mijëra” emigrantë, të cilët sipas tij kanë përfituar nga lehtësimi i fundit i kushteve për marrjen e nënshtetësisë gjermane.
Gjermania, dikur e njohur “për njerëzit e saj punëtorë” dhe “klasën”, tani është “një botë shumëngjyrëshe dhe multikulturore”, e cila ka “efekte të ndryshme” në shoqëri, theksoi ai.
Kryeministri hungarez shprehu kënaqësinë e tij për mbylljen e dyerve për emigrantët në vitin 2015 dhe faktin që Hungaria mbetet “një ishull paqeje”, ndryshe nga Gjermania që atëherë priti gati një milion emigrantë.
/abcnews.al