“Ora e ligë” e Tom Kukës nuk njeh limite suksesi, Enkel Demi bëhet pjesë e Panairit të Librit në Torino

schedule17:07 - 14 Tetor, 2021

schedule 17:07 - 14 Tetor, 2021

Kjo periudhë mund të konsiderohet pa frikë si më e arta, kur bëhet fjala për shkrimtarin Tom Kuka, prapa së cilit “fshihet” gazetari i njohur Enkel Demi.

Pas promovimit dhe suksesit në trojet shqiptare, romani i tij “Ora e ligë” ka kaluar kufijtë deri në shtetin italian.

Faqja e njohur e lajmeve në Itali “Il manifesto.it” i ka dedikuar një shkrim të gjatë, duke bërë të ditur se ditën e shtunë, më 16 tetor, Tom Kuka do të prezantojë romanin fitues të “Çmimit Kult 2020”, në Sallën Ndërkombëtare të Panairit të Librit në Torino. Në dialog me autorin do të jenë Anna Lattanzi dhe Farian Sabahi.

Sakaq, në këtë shkrim me titullin goditës “Një Shqipëri e lashtë mes hakmarrjes dhe dëshirave të errëta”, paraqitet fabula e romanit “Ora e ligë”, i cili është vendosur dy shekuj më parë, në një epokë të shënuar nga ligji i armëve dhe hakmarrjes, kur Shqipëria nuk është shtet dhe është ende pjesë e Perandorisë Osmane.

Prestigjozia fqinje bën të ditur se libri është botuar nga botuesja Besa Muci e specializuar në letërsinë ballkanike, L’Ora del male është një përkthim nga Fioralba Duma dhe Valentina Notaro me plot 156 faqe dhe të gjithë lexuesit mund ta gjejnë në çdo librari italian për vetëm 15 Euro.

Nga ana tjetër përmes një telefonate nga Tirana, Enkel Demi e ka konsideruar këtë roman “Një histori dashurie, një histori të vërtetë”.

“Ishte një teze që më tregoi këto ngjarje të tmerrshme, në familje kishim një të afërm bigam! Ngjarje të çuditshme, në një vend si Shqipëria që nuk njeh poligaminë”, është shprehur në përfundim autori.l.k/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!