Ora e ligë e Tom Kukës në festivalin e letërsisë në Itali

schedule12:40 - 30 Maj, 2021

schedule 12:40 - 30 Maj, 2021

Festivali i përvitshëm i librit “Passaggi” në qytetin Fano të Italisë, këtë vit do të titullohet “Europa/Mesdheu”, ku do të ketë edhe një hapësirë të veçantë për letërsinë ballkanike. Festivali i drejtuar nga gazetari i kulturës Giovanni Belfiori është planifikuar të zhvillohet nga data 18 deri në 25 Qershor.

Këtë vit, në festival do të prezantohen katër vepra letrare, nga katër autorë ballkanas; 2 Serbë dhe 2 Shqiptarë, ndër të cilët spikat edhe emri i shkrimtarit Tom Kuka, pas të cilit ndodhet gazetari i mirënjohur Enkel Demi, me veprën “Ora e Ligë”.

Vetëm pak ditë më parë, shkrimtari Tom Kuka fitoi çmimin e Bashkimit Europian për letërsinë. “Ora e Ligë” që do jetë dhe romani që do të prezantohet me datë 24 qershor në festivalin Italian të librit, është përshkruar nga kritika si një roman me karakter magjik.

Ai ndërthur tonet e errëta me delikatesën e shprehjes, dhe përvijohet si një epikë heroike, me cilësi të atilla që i japin lexuesit shumë nuanca të shpirtit njerëzor.

Ora e Ligë, ose e përkthyer në Italisht, “L’ora del Male” është botuar nga shtëpia botuese “Besa Muci Editore”.

Përgjatë prezantimit të librit, autori pritet të ketë një diskutim për veprën me përgjegjësen për sektorin e kulturës të Ambasadës së Shqipërisë në Itali, Ledia Mirakaj, dhe me kritiken letrare Carolina Lacucci.

Diskutimet rreth veprave letrare janë planifikuar të zhvillohen rreth orës 23.00 të mbrëmjes në ish Kishën San Francesco, monument I spikatur në Qendrën Historike të qytetit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!