Optimizëm për rikthimin e futbollit, ç’ndodhi në takimin e dytë në Ministrinë e Financave

schedule13:14 - 20 Tetor, 2020

schedule 13:14 - 20 Tetor, 2020

Liga Profesioniste e Futbollit, e përfaqësuar sërish nga presidenti Edvin libohova, pati takimin e dytë me përfaqësues të Ministrisë së Financave. Nuk mungoi as deputeti Fidel Ylli, i cili është mandatuar nga kryeministri Edi Rama për të gjetur një zgjidhje që të rikthejë futbollin.

Pas takimit të bërë, Ylli për mediat deklaroi: “90 për qind e kërkesave janë të realizueshme, flasim për tre pikat. Çështja është te Ligji i Sponsorizimit. Duhet gjetur modaliteti më i përshtatshëm, që vlen për një periudhë sa më të gjatë.

Te pjesa e faljes së gjobave nga tatimet, duhet bërë një ligj i përbashkët për të gjitha bizneset. Pikat e përcaktuara nga Ministria e Financave do të dorëzohen te kryeministri për miratimin final”, tha Ylli mes të tjerash.

Optimist për një zgjidhje u shpreh presidenti i Ligës, Libohova. “Bojkoti vazhdon, derisa sa të jetë zgjidhur problemi i ngritur nga ne. Takimi dhe konkluzionet janë pozitive. Të premten do të ketë një takim tjetër për të finalizuar zgjidhjen. Futbolli e mirëpret një të tillë, por nuk mund të them nëse mund të luajmë këtë fundjavë, apo tjetrën”.

 

Ngërçi mbetet Ligji i Sponsorizimit dhe deri më tani palët kanë bërë propozimet e tyre. Modeli slloven që është në fuqi, sipas Ligës Profesioniste të Futbollit, parashikohet të ketë ndikim zero në investimet në futboll.

Pritet që modeli i Ministrisë së Financave dhe ai i Ligës të vihen në dispozicion të kryeministrit Rama, i cili edhe do të marrë vendimin final pas konsultimit me specialistët e fushës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!