Optimizëm në LVV dhe LDK për arritjen e marrëveshjes së koalicionit

schedule13:45 - 1 Shkurt, 2020

schedule 13:45 - 1 Shkurt, 2020

Në  Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Lidhjen Demokratike ka optimizem rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje koalicioni më së largu deri të hënën, date kur është caktuar seanca plenare për votimin e kabinetit qeveritar, të cilin do ta paraqesë para deputetëve Albin Kurti, i nominuar për kryeministër.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili është një nga eksponentet kryesorë në LVV, ka shprehur besimin se dy subjektet që prej muajsh kanë negociuar për marrëveshjen do t’i tejkalojnë dallimet gjatë fundjavës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, zhvilloi një takim me njerëzit më me ndikim në parti, në funksion të finalizimit të shterjes së mundësive për marrëveshje me LVV-në.

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, ka paralajmëruar se në ditët e mbetura subjektet do të bëjnë përpjekje në shkrirjen e dallimit të vetëm që ka mbetur mes tyre. Ai ka treguar se liderët e të dyja partive, Albin Kurti e Isa Mustafa, do të takohen gjatë fundjaves, me synimin për ta tejkaluar pengesën e vetme, që ndodhet në negociatat mes tyre.

Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku do të votohet për qeverinë e re, është vendosur të mbahet të hënën, në orën 11:00. E nëse të dy partitë politike nuk arrijnë marrëveshje dhe nëse në seancën e së hënës nuk formohet qeveria e re, Lëvizjes Vetëvendosje i mbeten edhe dhjetë ditë për ndonjë marrëveshje me subjektet politike. Ndërkohë , Albin Kurti nuk do të ketë të drejtë të jetë mandatar për kryeministër, pasi kjo pozitë sipas Kushtetutës, i takon dikujt tjetër në Vetevendosje.

Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, Vetevendosje u rendit subjekt i parë për nga numri i votave, me një dallim jo shumë të madh me LDK-në, që është renditur e dyta. Edhe përpara zgjedhjeve, këto dy parti kanë zhvilluar negociata për koalicion parazgjedhor. Megjithëse nuk kishin arritur marrëveshje, gjatë fushatës parazgjedhore kishin premtuar se do të bashkëqeverisnin në mandatin që ndodhej përpara. Por, pavarësisht faktit që rezultati zgjedhor është certifikuar prej 3 muajsh, është konstituuar Kuvendi dhe kanë dakorduar edhe programin qeverisës, dy partite nuk kane arritur ne nje marrëveshje për ndarje pushteti./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!