Fatmir Mediu shfrytëzoi Asamblenë Kombëtare të Republikanëve për të dhënë mesazhet e tij në lidhje me aktualitetin politik. Fuqizimin e opozitës si një alternative për të ardhur në pushtet, ai e sheh të vij vetëm duke qenë pranë qytetarëve dhe për qytetarët në Parlament.
“Opozita nuk mund të mbyllet në meskinitetit dhe interesat e vogla përjashtuese të disa individëve, por duhet të hapet dhe të vendosë në bazë të disa vlerave të saj konkurimin, gjeneratën e re, vlerat më të mira. Opozita e liderëve duhet të ndryshojë dhe të bëhet opozita e shqiptarëve, që krijon hapësirën në Kuvend, nëpërmjet garës, gjeneratën e mrekullueshme të të rinjve e të rejave që jetojnë këtu në Shqipëri dhe në vende të tjera.”, tha Mediu.
Për Mediun, i cili është një nga nismëtarët e federatës se opozitës, bashkimi nuk ka ndodhur dhe ka dështuar deri më tani për shkak të asaj që e cilëson si opozita e liderëve.
“Dhe po vij tek detyra jonë, federata apo konfederata e opozitës, quajeni si të doni, sepse opozita e bashkuar është rruga e vetme për të mposhtur të keqen e kësaj qeverie. Sepse opozita nuk duhet vetëm në Tiranë, por duhet të jetë në çdo skaj. Bashkimi i opozitës nuk mund të funksionojë vetëm si takim i kryetarëve të opozitës në Tiranë, por duhet të funksionojë në çdo qark, në çdo bashki. Me çdo individ. Çdo individ ka vlerë, por duke qenë bashkë fiton 100 herë më shumë vlerë për të qëndruar dhe luftuar së bashku.”, shtoi ai.
Detyrë tjetër e federatës së opozitës sipas Mediut është ndërtimi i marrëdhënieve me SHBA, BE dhe NATO-n.
/abcnews.al