Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, i ka bërë thirrje Bashkimit Europian, që të ‘sanksionojë kriminelët’ që rrethojnë presidentin rus Vladimir Putin.
Gjatë një video-konference me eurodeputetët të mbajtur të premten, kritiku i Kremlinit tha se oligarkët rusë kanë në dorë pushtetin dhe se blloku prej 27 vendeve, duhet të zhvillojë një strategji të re për raportet me Moskën.
Në mënyrë të veçantë, Navalny i bëri thirrje BE-së që të vëzhgojë pasuritë e miliarderëve rusë si Roman Abramovich, Alisher Usmanov dhe Arkady Rotenberg, që sipas tij, të gjithë kanë lidhje të ngushta me Kremlinin.
Muajin e kaluar, BE dhe Britania vendosën të ngrijnë pasuritë dhe ndaluan udhëtimin e gjashtë zyrtarëve të lartë ruse, për “atentatin e mbetur në tentative” të 44-vjeçarit Navalny, që ndodhi gjatë muajit gusht.
Navalny, një kritik i madh i Putinit dhe një aktivist kundër korrupsionit, e ka fajësuar presidentin rus, se qëndron prapa helmimit të tij.
Ai doli nga spitali në Berlin më 22 shtator, pasi kishte qëndruar për 32 ditë.
Përveç sanksioneve kundër oligarkëve rusë, Navalny ka kërkuar nga BE gjithashtu që të mos njohë rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme 2021 në Rusi, nëse do t’u ndalohet të kandidojnë opozitarëve./abcnews.al