Opozita vë në pikëpyetje menaxhimin e fondeve të tërmetit: Bankat risk të madh me një kryeministër si Rama

schedule18:26 - 19 Shkurt, 2020

schedule 18:26 - 19 Shkurt, 2020

Opozita është mirënjohëse për ndihmën e dhënë nga të gjitha vendet në Konferencën e Donatorëve në Bruksel për Shqipërinë por dyshimin e ka për mënyrën se si do të menaxhohen 1.15 miliardë euro të cilat pritet të vijnë si grande dhe hua për të përballuar pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Dyshimin për menaxhimin e fondeve e shprehu edhe kryedemokrati Basha kur pyeti qytetarët nëse besojnë tek transparenca e qeverisë për fondet e tërmetit. Për nënkryetarin e PD, Edmond Spaho mbështetja e ndërkombëtarëve hodhi poshtë retorikat e Edi Ramës pas çdo refuzimi që merrte për çeljen e negociatave.

“Ky veprim zhvleftëson e hedh poshtë gjithë retorikën anti-europiane që dëgjuam në tetor për mos-hapjen e negociatave”.

Edhe për anëtarin e kryesisë së LSI, Përparim Spahiu ndihma e dhënë në drejtëim të Shqipërisë është pozitive, por dyshimi lidhet me mënyrën se si Edi Rama po e prezanton solidaritetin për Shqipërinë.

“Një shumë e tillë sidomos ajo grant, është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare. Mosbesimi mbetet te fjalimi i Kryeministrit i cili flet me terma politikë, flet me terma elektoralë, dhe kjo është frika më e madhe që e gjithë kjo histori do të përdoret elektoralisht”.

Për Spahon, qeveria dhe kryeministri Rama duhet të heqin dorë nga retorika e ditës dhe të angazhohen për të sjellë sa më shpejt fondet e premtuara për të zgjidhur krizën humanitare me të cilën po përballet vendit.

“Do të duhet ti lënë fjalët, ta lënë retorikën, ti shtrohen punës. Janë me dhjetëra mijëra me vetëm qiellin si çati dhe kanë nevojë për veprime urgjente”.

Për Spahiun, bankat kanë marrë një risk jo të vogël kur i kanë dhënë besim Edi Ramës ndërkohë që për 3 muaj nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar jetën e atyre që u prekën nga tërmeti.

“Them që bankat kanë marrë riskun e madh me një kryeministër të korruptuar e than kjo edhe nga institucionet ndërkombëtare, bashkë me departamentin amerikan të shtetit, ne kemi nivel të lartë korrupsioni. Pra frika e madhe është që këto fonde do të keq menaxhohen pasi qeveria ka qenë inekzistente, gjatë këtyre muajve them që ka qenë në pritje vetëm të këtyre fondeve dhe nuk ka qenë e aftë të menaxhojë”.

Në Konferencën e Donatorëve të zhvilluar në Bruksel, në ndihmë të Shqipërisë u dhanë 1.15 miliardë euro prej të cilave 482 milionë granted he 667 milionë euro hua nga bankat ndërkombëtare./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!