Pas largimit nga salla e Kuvendit, kreu i PD-së Lulzim Basha është shprehur se tani kemi një qeveri të vdekur e cila ka kapur të gjitha pushtetet. Basha akuzoi mazhorancën se opozita nuk u lejua të merrte fjalën në seancën parlamentare ku u votuan shkarkimet dhe emërimet e ministrave të qeverisë.
“Kjo qeveri nuk përfaqëson asnjë vullnet politik por vetëm pushtetin e Ramës. Rama ka kapur pushtetin ekzekutiv, gjyqësor dhe Prokurorinë. Opozita kërkoi debat parlametar të t’u thënë shqiptarëve qëndrimin e saj dhe të vërtetat trondoitëse që fshihen pas këtyre emërimëve të kukullave të oligarkëve të Edi Ramës.
Opozita parashtroi kërkesën dhe asnjë rregull nuk e pengon opozitën të marrë fjalën. Opozitën e pengon një kryetar Kuvendi dhe një i sëmurë psiqik. Sot ne kemi një qeveri të vdekur. Kishim një qeveri në koma sepse nuk erdhi në pushtet me votat e qytetarëve.
Kryeministri mban edhe postin e Ministrit të Jashtëm që vetëm në periudhën e Enver Hoxhës ka ndodhur. Faturën e kësaj sjellje e paguajnë qytetarët e thjeshtë dhe studentët që kanë më shumë se një muaj që janë ngritur në protestë”- tha Basha. /abcnews.al