Pak ditë para takimit të 14 shtatorit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, partitë opozitare kanë kritikuar shefin e qeverisë kosovare për qasje të gabuar në proces të dialogut. Sipas tyre, Kosova po shkon në dialog e sanksionuar nga BE-ja dhe si palë e pabarabartë si rezultat i gabimeve të kryeministrit Kurti në këtë proces. Megjithatë, në partinë në pushtet presin që takimi të fokusohet në sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Kurti ia ka bërë një dëm të madh Kosovës, duke e dërguar në proces të dialogut të sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
Ai kritikoi Kurtin edhe për mungesë të transparencës në këtë proces si dhe për mos respektim të rezolutës ku obligohet që para çdo raundi të dialogut të raportojë në Kuvend.
Pritje të vogla për takimin e radhës Kurti-Vuçiq ka deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. Ai shtoi se Serbia po favorizohet në këtë proces, derisa Kosova është nën sanksione.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se dialogu i Kurtit po e mban Kosovën peng dhe në krizë.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, kërkoi nga Bashkimi Evropian që të bëjë vlerësime të drejta dhe të sakta se cila palë është destruktive në dialog.
Ajo theksoi se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Këto komente ata i bën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën.
/KosovaPress/