Protesta e punonjësve të nënkotraktuar nga kompania Serenisima e cila ka punuar në Bypass-in e Fierit dhe vlorës , sot e falimentuar dhe pa paguar detyrimet ndaj kompanive që ka kontraktuar ka përfshirë kreun e opozitës, Lulzim Basha dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar në shkëmbim deklaratash. Për kreun e opozitës, pagesa e punonjësve është e mundur përmes fondit të garancisë, ndërsa ARRSH sqaron se nuk ka detyrim ligjor të kryej pagesa për nënkontraktorët.
I pritën deputetët në hyrje të parlamentit në nisje të seancës.
Me thirrjen “Duam paret tona”, punonjësit e Bypass-it të Fierit dhe Vlorës kërkojnë ndihmë nga shteti. Thonë se kanë trokitur në çdo derë pushteti.
Punëtori: “E para protestë ka qenë para kryeministrisë, presidentit dhe parlamentit. Ne kërkojmë leket tona, të drejtën tonë”.
Mungesa e mbështetjes i mërzit, por gjobitja për vonesë pagese të faturave të jetesës i nervozon. Nëse shteti nuk i del në krahë, ligji sipas tyre, duhet.
Punëtori: “Na e fusin dy herë, e di pse? Na ka mbajtur lekët gjithmonë, tani që nuk i paguaj dot, me vendos kamatvonesa. Shteti te shtyp”.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi protestuesit, zgjidhjen për të cilët e sheh tek fondi, që firma kontraktore ka lënë për shtetin shqiptar në formë garancie.
Lulzim Basha: “Sipas informacionit tonë mjafton e tepron për të paguar detyrimet që shteti i ka nënkontraktorëve pas falimentit”.
Për këtë, kreu i opozitës gjen përgjegjësit, ose të paktën kush duhet hetuar sipas tij.
Lulzim Basha: “Janë me dhjetëra telefonata mes zyrës së kryeministrit dhe ish-kontraktorit, të cilat fshehin një aferë të pistë korruptive. Ju nuk i merrni lekët se Edi Rama dhe Damian janë përfshirë t’i marrin për veten e tyre”.
Pasi u kërkoi të vijojnë të ngrenë zërin me premtinin se opozita do investohet për kompensimin e tyre, në privat u kërkoi tjetër gjë.
Nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, reagimi nuk vonoi.
Duke folur për pretendime të punimeve nga kompani të nënkontraktuara drejtpërdrejt nga Serenisima, me të cilën shteti lidhi kontraën, Autoriteti deklaron se disponon raportin final të punimeve të kryera në këto dy By-passe, si dhe një shkresë ku Serenisima e njeh detyrimin e prapambetur ndaj kompanive të nënkontraktuara.
Afrim Qendro: “Kemi 47 kompani në Fier dhe 34 në Vlorë që pretendojnë për mos shlyerjen e detyrimeve nga Serenisima. ARRSH nuk ka detyrim ligjor të bëj pagesa për nënkontraktorë që kanë kontratë me Serenisimën. Nëse e bën, shkel ligjin. Nuk kemi asnjë veprim fundor, vendim gjykate mes kompanive që kanë borxhe dhe Serenisimës. Kemi vetëm pretendim të shoqëruar me fatura që këto kompani kanë punuar me Serenisimën”.
Vetë autoriteti është momentalisht në tre procese gjyqësore me kompaninë Serenisima, e cila ka shpallur falimentin, një prej të cilave pikërisht për fondin e garancisë, që bëhet i pa-aksesueshëm, sa kohë Gjykata nuk merr vendim. Kompanive dhe qytetarëve i kërkon të ndjekë modelin e tij.
Përgjegjësinë për situatën nuk e mban askush. Autoriteti Rrugor Shqiptar, protestuesve u tregon gjykatën, kreu i opozitës u tregon sheshin. Ndërkohë problemin e falimentit të kompanisë që fitoi tenderin për ndërtimin e Bypassit të Vlorës dhe Fierit e ndajnë nënkontraktorët e papaguar të cilat punuan për kompaninë e larguar nga vendi./abcnews.al