Opozita parlamentare u shpreh sot e shqetësuar në Parlament nga një marrëveshje e fshehtë mes Ramës e Bashës dhe kërcënoi se nuk do të votojë reformën zgjedhore. Socialistët ju kërkuan të rinjve të luajnë rolin e tyre, teksa saktësuan se pavarësisht të gjithave, PS do të respektojë PD-në për rolin historik të saj.
Sinjalet e hedhura nga Ilir Meta, se Edi Rama e Lulzim Basha po unifikojnë qëndrimet me njëri-tjetrin, kanë shqetësuar më së shumti, opozitën parlamentare. Deputetët e rinj, kërcënojnë se nuk do të votojnë reformën zgjedhore.
“Këta vazhdojnë dashuriçkat dhe flirtimet me njëri-tjetrin mazhoranca me rrugën. Sidomos ata në rrugë ta kenë të qartë si PD ashtu dhe LSI-ja, nuk ka deal me këtë mazhorancë për ndryshimin e sistemit zgjedhor pa votën tonë këtu në parlament. Ta kenë të qartë të gjithë. Të hidhen pupthi, juve me ata bashkë”, tha Ralf Gjoni.
Numri dy i socialistëve ju bëri të qartë, se demokratët dhe pse jashtë parlamentit, janë më të rëndësishëm se zëvendësuesit e tyre në Kuvend.
“Harroje ti se kam dashuri për Lulzim Bashën. Gjëja e fundit që mund të më akuzosh kjo është, por ama kam respekt për historinë politike të këtij vendi dhe për vijueshmërinë e komunikimit dhe dialogut politik gjithëpërfshirës. Në këtë këndvështrim në komisionin e reformës i është lënë edhe një karrige bosh PD-së për të ushtruar të drejtën e saj për të dhënë propozime”, tha Taulant Balla.
Por kjo lënie pas dore, nuk i pëlqen nënkryetarit të Kuvendit.
“Nga njëra anë thoni që ata që janë në rrugë nuk donin ë të votonin refugjatët, nga ana tjetër tre herë në ditë i bëni thirrje si hoxha në zë që “hajdeni se pa ju nuk e bëjmë dot”. Për çfarë e doni që të mos votojnë emigrantët se këtu i paskeni pasur gjashtë vjet dhe ata nuk paskan dashur që të votojnë emigrantët. Ju jeni hipokritë në kërkesën që bëni që kemi qejf të votojmë emigrantët”, tha Murrizi.
Me eksperiencën që ja konfirmojnë thinjat, Pandeli Majko preferoi t’i këshillojë opozitarët e rinj.
“Ajo që është e rëndësishme për ju është që çfarëdo marrëveshje të negociohet jashtë kësaj salle të parlamentit në fund fare politika është matematikë të votohet. Do duhet vota juaj. Pa votën tuaj nuk mund të ratifikojmë asnjë lloj marrëveshje. Mendoj që duhet të jemi racionalë me këtë që ndodh tek ne. Ka shumë skuadra të mëdha ku zëvendësuesit kanë bërë histori. Këta nuk e kanë bërë as me batuta, as me sharje, por me lojë të ndershme”, tha Pandeli Majko.
Opozita e re është pjesë e komisionit të reformës zgjedhore, nga ku, kërkon largimin e Damian Gjiknurit si bashkëkryetar, si dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor. /ABC News Albania 24/7