Operacioni për klandestinët reagon Çuçi, SPAK: 30 episode, 7 në Shqipëri, sekuestrohen skafe e anije

schedule10:18 - 19 Janar, 2022

schedule 10:18 - 19 Janar, 2022

Një operacion policor për shkatërrimin e një linje të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme drejt BE-së është zhvilluar njëkohësisht në tri shtete, Shqipëri, Itali dhe Greqi, dhe në disa shtete të tjera.

Gjatë hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore (JIT) është dokumentuar fakti se pjestarët e 4 (katër) grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre aktivitetin kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim vende të tjera të BE-së.

Lexo edhe: Trafik klandestinësh për 10 mijë euro, goditen 4 grupe “aleate” në Shqipëri-Itali-Turqi, 25 të arrestuar

SPAK informon se nga hetimet e kryera në Shqipëri janë dokumentuar 7 (shtatë) episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të kryera ne Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë. Janë kapur në flagrancë edhe personat e kontrabanduar për të kaluar kufijtë shtetërorë në mënyrë të paligjshme, si dhe është dokumentuar aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar. Gjithashtu janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin për caktim masash sigurimi të dhënë nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është urdhëruar arrestimi i 25 personave, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq).

Në lidhje me operacionin ndërkombëtar të Policisë së Shtetit për goditjen e një rrjeti kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme drejt BE-së dhe Italisë së Jugut, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.

Çuçi në reagimin e tij thekson se policia është e angazhuar dhe të vendosur për të goditur me të gjithë forcën e ligjit çdo rrjet kriminal të trafikut të klandestinëve.

Operacioni ndërkombëtar i Policisë së Shtetit për goditjen e një rrjeti kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e jugut dhe në vijim për në vende të tjera të BE-së, është një tjetër dëshmi e modelit të shkëlqyer të punës së skuadrave të përbashkëta hetimore me vendet e Bashkimit Europian. Jemi maksimalisht të angazhuar dhe të vendosur për të goditur me të gjithë forcën e ligjit çdo rrjet kriminal të trafikut të klandestinëve. Shqipëria mbron të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve, por kurrsesi nuk do të bëhet urë kalimi për grupet që iu rrezikojnë jetën dhe shfrytëzojnë dramën e atyre njerëzve për qëllime fitimi. Vlerësim për punën e Policisë së Shtetit, SPAK, agjencive të tjera ligjzbatuese dhe partnerëve tanë për finalizimin me sukses të këtij operacioni”, shkruan Çuçi në rrjetet sociale. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!