Operacioni në Elbasan, 6 persona në pranga

schedule20:15 - 12 Prill, 2019

schedule 20:15 - 12 Prill, 2019

Një operacion antidrogë ka çuar në pranga 6 anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal në fushën e tregtimit të narkotikëve në Elbasan. Dy prej tyre rezultojnë si krerët e grupit dhe kanë precedentë penalë në fushën e krimit kundër personit. Gjatë operacionit “Shënkolli”, policia sekuestroi edhe 550 gramë kokainë.

Gjashtë persona të arrestuar dhe gjysmë kilogrami kokainë e sekuestruar është bilanci i një operacioni antidrogë të zhvilluar mesditën e së premtes në Elbasan. Sipas policisë, këta persona i përkasin një grupi të strukturuar kriminal , në fushën e tregtimit të drogave të forta, kryesisht kokainë.

ABC News mëson se të arrestuarit janë: Klajdi Gjeci 32 vjeç, Agron Qafa 45 vjeç, Klaudjo Trungu 31 vjeç, Skënder Pëllumbi 23 vjeç, Lavdosh Demaj 35 vjeç dhe Lorencio Gjini 25 vjeç, që të gjithë banues në Elbasan.

Sipas policisë, Klajdi Gjeci dhe Agron Qafa, si organizatorë të grupit kriminal, siguronin lëndën narkotike dhe pjesëtarët e tjerë të grupit kryenin shpërndarjen e saj në doza të vogla në qytetin e Elbasanit. Ata rezultojnë me precedentë penale në fushën e krimeve ndaj personit.

Policia gjatë kontrollit fizik të krerëve të grupit dhe banesave të tyre, gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi prej rreth 550 gramësh kokainë. Përveç 6 personave të arrestuar, policia po heton në gjendje të lirë dy shtetase.

Operacioni, bëhet e ditur se është ende në vijim, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Në operacionin e koduar me emrin “Shënkolli” u përfshinë strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Reparti RENEA dhe Drejtoria e Policisë Tiranë.

Pas këtij operacioni, Ministri Sandër Lleshaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu udhëtuan drejt Elbasanit ku zhvilluan një takim në prefekturë. Të pranishëm ishin prefekti Gledian Llatja, Drejtori i Policisë, Drejtuesja e Prokurorisë, kreu i SHIK si dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor në këtë qark.

Mësohet se në qendër të diskutimeve ka qenë sigurimi i rendit dhe qetësisë publike pas ngjarjeve që kanë tronditur këtë qytet gjatë muajve të fundit. Takimi vjen edhe një ditë pas shkarkimit të drejtorit të Policisë Altin Qato dhe emërimit në vend të tij të Arjan Muça./abcnews.al