Operacioni “Metamorfoza”, arrestohet në Francë Behar Bajri

schedule19:12 - 4 Shtator, 2023

schedule 19:12 - 4 Shtator, 2023

Arrestohet në Francë Behar Bajri, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Behar Bajri është një emër i njohur për policinë, i konsideruar si një nga personazhet më të rrezikshëm të botës së krimit në Shqipëri. Kapja e këtij shtetasi u bë me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

“Në vijim të punës gjurmuese dhe kërkimore, si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, mesditën e sotme, falë inteligjencës policore të siguruar nga Policia e Shtetit, shkëmbimit në kohë reale të informacionit, nëpërmjet oficerëve të kontaktit të Policisë së Shtetit dhe Policisë Franceze, si dhe koordinimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Parisit, u bë e mundur kapja në Francë, nga Policia franceze, e shtetasit shqiptar Behar Bajri, 43 vjeç.

Kapja e këtij shtetasi u bë me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me Interpol Parisin, vijojnë punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, të 43-vjeçarit. Kapja e këtij shtetasi tregoi edhe një herë bashkëpunimin serioz, profesional dhe të besueshëm mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve, si dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, për të gjurmuar, lokalizuar, kapur dhe çuar para drejtësisë, shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.”, njofton policia.

Emri i Behar Bajrit doli në dosjen voluminoze të operacionit ‘Metamorfoza’, që solli arrestimin e 6 personave. Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK së bashkë me 8 persona të tjerë. të dyshuar për 12 vepra penale, përfshirë grup i strukturuar kriminal, vrasje me dashje, korrupsion, pastrim parash e shpërdorim detyre.

Hetimet nisën në 2019-ën pasi autoritetet belge dhe holandeze siguruan komunikime në rrjetin “Enchro Chat” dhe “SKY”. Nga hetimet rezultoi se biznesmeni Pëllumb Gjoka ka kërkuar nga Behar Bajri që të kryente vrasjen e një personi. Bëhet fjalë për Kleanthi Musabelli një ish-punonjës i policisë së burgjeve.

Në dosje u zbulua gjithashtu se si Bajri kishte bashkëpunuar me Ervis Martinajn. Bajri dhe Denis Boriçi ezekutojnë Gjin Boriçin për interes të Martinajt dhe ky i fundit do të eleminonte Kleanth Musabelliun, vrasje e cila nuk u realizua. Kujtojmë që nga ky operacion kanë rënë në pranga deri më tani 6 persona.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish prokurori i Kukësit Xhevahir Lita dhe kreu i Forcave Operacionale, Olsi Bitri, të akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale në Shkodër dhe Lezhë kërkuan pak ditë më parë masë më të lehtë sigurie por gjykata vendosi masën ‘arrest me burg’ të paktën deri në përfundim të hetimeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!