Operacioni “Limit”, Gjykata liron për “arsye shëndetësore” 3 nga 24 të arrestuar

schedule16:49 - 14 Shtator, 2019

schedule 16:49 - 14 Shtator, 2019

Pas një seance maratonë gjatë ditës së sotme, gjykata e krimeve të rënda liroi për arsye shëndetësore 3 nga 24 të arrestuarit gjatë Operacionit të koduar Limit”. 7 persona të tjerë janë ende në kërkim. Abc News siguron dosjen e prokurorisë dhe zbardh përgjimet e bisedave mes të dyshuarve.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka verifikuar masat e sigurisë për 24 personat e arrestuar në kuadër të operacionit të koduar Limit. Gjyqtarja Etleva Deda vendosi që të lironte 3 prej të arrestuarve për arsye shëndetësore.

Për 21 të arrestuar të tjerë gjatë këtij operacioni në Shqipëri, gjykata e krimeve të rënda la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, të caktuar në mungesë për ta.

Në masën e sigurisë arrest në shtëpi u lanë Bektesh Zeneli, i cili gjatë seancës u transportua në spital për ndihmë mjekësore. Po ashtu nga qelia u liruan Fejzo Dana dhe Agron Manka. Personi nën hetim  Agron Manka mësohet se gjatë seancës ka deklaruar para gjyqtares se ka pranuar të punojë për arsye ekonomike dhe se çdo ditë e bënte në këmbë rrugën nga Tepelena në Këlcyre.

Manka ka treguar se atje rrinte gjithë ditën në një stan dhe se merrej me vaditjen.

Sipas përgjimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, që gjenden dhe në dosjen hetimore, të cilën e disponon ABC News, dyshohet se krerët e dy grupeve kriminale që merreshin me trafikun e drogën, janë Olger Bamllari, që është në kërkim, dhe Aleksandër Pepi alias Bani i njohur me pseudonimin “Veshua”, tashme i arrestuar.

Personat nën hetim përdorin pseudonime si Qukapiku, Pinoku, Budallai , ndërsa vihet re se komunikojnë edhe me mesazhe të koduara. Në një nga bisedat telefonike midis Olger Bamllarit dhe personit me pseudonimin pinoku, ky i fundit i konfirmon se ka marre 3600 euro dhe se do ja dërgonte.

Një tjetër bisedë interesante është midis Olger Bamllari dhe Aleksandër Pepës. Ky i fundit i thotë Olgeri Bamllarit që të flasë me Budallain, pseudonimi i Genci Bamllarit, dhe t’i thotë që të heqë të gjithë numrat e telefonit dhe gjithashtu të fshije edhe Facebook.

Operacioni i koduar “Limit” u krye nga Prokuroria për Krime të Rënda në bashkëpunim me policinë e Shtetit dhe autoritetet greke. Në pranga kanë rënë 18 persona, ndërsa 6 të tjerë janë aktualisht në burg, të arrestuar më herët. Kurse 7 persona të tjerë janë në kërkim.

Për të njëjtin aktivitet kriminal në dhjetor të vitit të shkuar në selanik janë arrestuar 31 persona dhe 3 të tjerë më vonë.

Kreu i këtij grupi të goditur në Greqi, dyshohet të jetë Nikolin Kapurani. Të arrestuarit akuzohen për “Trafikim të narkotikëve”, “Prodhim dhe shitje të drogës”,  “Kultivim të bimëve narkotike”, “Mbajte pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahje e autorit të krimit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!