Prokuroria e Krimeve të rënda zgjeron hetimet pas sekuestrimit të 137 kilogramëve kokainë në Portin e Durrësit.
Organi i akuzës ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të verifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik.
Ndërkaq, u vendos masa e “arrestit në burg” në mungesë për biznesmenin në kërkim, Gentian Malindi.
Zbardhen detaje të reja në lidhje me 137 kg kokainë të sekuestruara në portin e Durrësit. Prokuroria për krime të rënda po heton edhe zyrtarë të portit të Durrësit, pasi dyshohet se kanë favorizuar futjen e personave të paautorizuar brenda portit.
Burimet konfirmojnë se janë sekuestruar kamerat e sigurisë në Portin e Durrësit për të bërë të mundur identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet trafiku të kokainës.
Hetimet e krimeve te Rënda janë përqendruar tek porositësit e 137 kg kokainë, pasi grupi hetimor ka dyshime se i përfshirë është një grup kriminal që vepron në jug të vendit.
Po sipas të njëjtave burime kokaina do përpunohej në vendin tonë dhe destinacion final kishte tregun evropian.
Ndërkohë, këtë të shtunë Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest ne burg” në mungesë për Gentian Malindin, një nga personat e dyshuar si porositës i 137 kilogrameve kokainë.
Në fotot e siguruara nga ABC News dallohet oficeri i sigurisë së portit Ardian Bega, që ndodhet tashmë prapa hekurave.
Oficeri i sigurisë së Portit, rezulton të ketë përdorur dokumentin e tij për hyrje-daljet ne Port.
Bega ka pranuar para grupit hetimor se ka njohje me Gentian Malindin dhe se ishte ai që i ka kërkuar të hapte kontenierët dhe të nxirrte prej andej një ngarkesë.
Prapa hekurave për 137 kg kokaine është edhe Altin Myslihaka.
Ishte DEA amerikane, ajo që sinjalizoi autoritetet greke se në Portin e Pireut kishte mbërritur një sasi prej 137 kilogramë kokainë, që vinte nga Ekuadori me destinacion final Shqipërinë.
Kokaina ishte fshehur në motorët e frigoriferëve në katër kontenierë me banane, të porositura nga një kompani shqiptare, e cila operon në treg nga viti 2011.
Autoritetet Greke kanë informuar policinë shqiptare pas zbulimit të drogës dhe më pas kanë vendosur që ta zëvendësonin drogën me oriz, dhe brenda pakove të vendoseshin GPS.
Kontenierët me banane kanë kaluar tranzit në portin e Pireut./ABC News Albania 24/7