TIRANË- Një super operacion ndërkombëtar ka eliminuar një linje trafiku drogë që niste nga Amerika latine për në Europë, Shqipëri e Turqi. Paratë e fituara pastroheshin në Shqipëri. SPAK ka dhënë masa arresti kombëtar e ndërkombëtar për mbi 50 persona. Një prej të arrestuarve është Redi Tusha, vëllai i bodigardit të Sali Berishës.
Sekuestrohen dhjetëra prona e asete, mes tyre dhe një televizion në Vlorë si dhe tre milionë euro cash. Altin Dumani u shpreh se është goditur grupi me i rrezikshëm kriminal në vend dhe bën thirrje që publiku të mbajë besimin ndaj SPAK.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar në “Ora e Fundit” në Abc News u shpreh se goditja e grupit shqiptar me bazë në Durrës erdhi pas zbërthimit të aplikacioneve Sky Ecc dhe Encro Chat.
Ai tha se ka pasur indicie edhe më parë, por jo prova të mjaftueshme sa për të ekzekutuar ato masa sigurie që miratoi Gjykata e Posaçme.
“Ka shumë vite që përmendeshin në qytetin e Durrësit, por nuk ishin provuar deri në këtë nivel. Kishte gojëdhëna dhe informacione, por duhej një bashkëpunim i SPAK me autoritetet italiane për goditjen e këtij grupi. Kemi indicie dhe dëshmi nga tre të penduar dhe nga zbërthimi i dy aplikacioneve Sky Ecc dhe Encro Chat.Janë hetime që kanë zgjatur shumë vite, Janë marrë dëshmi nga vendet e tjera në Gjermani dhe në Amerikën Latinë, deri sa arritëm sot në finalizimin e masave të sigurisë”, tha ai.
Ai theksoi se shqiptarët në Amerikën Latine i ka dërguar Ndragheta. Sipas tij, grupet kriminale transnacionale nuk funksionojnë dot të ndara, por bashkëpunojnë ngushtësisht në tregun e kokainës dhe drogave të forta.
“Ne na kanë çuar në Amerikën Latine “Ndragheta” dhe kështu e kemi nisur ne. Këto janë iniciativat kriminale që kemi gjetur sot dhe jemi shtrirë në disa vende. Kjo është një veprimtari transnacionale. Janë grupime të lidhura dhe drejtohen nga Ndragheta. Paratë ndahen mes anëtarëve. Shumë pak janë investuar në Shqipëri. Në vëzhgim janë edhe grupe të tjetër”, tha ai.
Eksperti theksoi se SPAK e ka kaluar testin e besueshmërisë dhe të sigurisë edhe te agjencitë e tjera dhe këtë e dëshmojnë operacionet e përbashkëta të suksesshme, që janë kryer në dy vitet e fundit.
“SPAK ka vite që e ka kaluar testin e sigurisë dhe besueshmërisë, sepse kemi disa aksione të suksesshme”, theksoi ai./abcnews.al