Operacioni i SPAK/ Arrestohet në Belgjikë Leonard Duka, rival i Ervis Martinajt

schedule11:18 - 18 Maj, 2024

schedule 11:18 - 18 Maj, 2024

Vijon në ditën e dytë operacion i madh për arrestimin e dhjetëra personave me urdhër të prokurorisë së posaçme si të përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale shumica deri më tani të pa zbardhura nga autoritetet. Aksioni po kryhet jo vetëm në Shqipëri por edhe në shtete të tjera për elemente kriminalë të shpallur në kërkim nga Interpol.

Këtë të shtunë është arrestuar në Belgjikë Leonard Duka, i njohur si kreu i klanit Duka. Duka një nga njerëzit më të kërkuar nga Policia shqiptare, i konsideruar si armiku më i ashpër i Ervis Martinajt, ishte zhdukur që prej datës 9 gusht të vitit 2022, dhe ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Në bashkëpunim me Interpol mbrëmjen e së premtes u kapën në Spanjë dhe Itali dy të kërkuar të tjerë, të cilët akuzohen për grup të strukturuar kriminal. Në Spanjë u arrestua Denis Meta ndërsa në Itali Arjan Tuku.

Sipas hetimeve nga SPAK Tuku akuzohet për tentative vrasjeje të Durim Bamit duke bashkëpunuar në  përgatitjen e kushteve të vrasjes duke siguruar mjetet. Ndërsa në po atë vit u kap në Mal të Zi për trafikim të 168 kilogramëve kanabis.

Emrat e personave të dyshuar si autorë të disa ngjarjeve që janë zbardhur nga SPAK kanë dalë pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionet sky dhe enchro chat.

Të përfshirë rezultojnë persona të njohur të krimit në vend si Valter dhe Durim Bami në Nikël, vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka në Tiranë, Fatmir Hyseni I njohur me emrin Doqja në Vlorë apo vëllezërit Astrit dhe Altin Avdylaj në Shijak.

Po kështu urdhër arresti është lëshuar edhe për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Noka që është shpallur në kërkim pasi nuk u gjet në banesë. Në kërkim është edhe nipi i tij Samuel Noka, si dhe Endrit Dokle, Plaurent Dervishi.

Urdhër arreste janë dhënë edhe për ish zyrtarë të bluve, ish kreun e policisë Lezhë, Erigert Mitri si dhe ish efektivët e RENEA-s, Altin Modrina dhe Klodjan Shosha. Në Velipojë është arrestuar biznesmeni Mir Bruli si person i dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.  Ai njihet si i afërm i biznesmenit Pëllumb Gjoka i cili është arrestuar disa muaj më parë si pjesë e operacionit Metamorfoza. Disa personave masat e sigurisë u janë ekzekutuar në burgjet e vendit aty ku ata mbahen të izoluar për ngjarje të tjera kriminale, siç janë Albert Zaja, Viktor Imeri dhe Santilio Basho.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!