Operacioni anti-drogë Shqipëri-Itali, zbulohet “koka” e grupit kriminal nga Vlora

schedule14:42 - 30 Qershor, 2020

schedule 14:42 - 30 Qershor, 2020

Në operacionin e organizuar nga autoritetet italiane dhe ato shqiptare, ku u arrestuan 37 persona, mes tyre 27 shqiptarë dhe u sekuestruan 3,5 tonë në vlerën e 40 milionë eurove, është kapur edhe koka e grupit kriminal

Ai është Robert Myftari, 47 vjec nga qyteti i Vlorës.

Grupi kriminal i cili vepron prej 2015 transportonte drogë nga Vlora dhe Saranda në drejtim të Barit të Italisë.

Mes të arrestuarve është edhe Elton Hamza ndërkohë që emrat e tjerë ende nuk janë bërë të ditura.

Myftari, ishte në kërkim që prej nëntorit të vitit 2015, pasi tentoi të trafikonte 800 kg kanabis drejt Italisë.

47-vjeçari, ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se më 10 nëntor të 2015 në vendin e quajtur “Cekodhima” është përpjekur të trafikojë drejt Italisë 808 kilogramë hashash.

Por ndërhyrja në kohë e policisë ka shmangur trafikun e sasisë së konsiderueshme të drogës, që së bashku me gomonen u sekuestrua në atë kohë në cilësinë e provës materiale.

Që nga ajo kohë autoritetet italiane, kanë nisur hetimet intensive me metoda speciale, duke mbërritur ditën e sotme me operacionin që çoi ne arrestimin e 37 personave, ku 27 prej tyre janë shqiptare dhe 10 te tjerët italiane.

Gjatë hetimit, të shtrirë në kohë, u sekuestruan afërsisht 3.5 ton drogë të llojit marihuanës, kokainës dhe hashashit, për një vlerë mbi 40 milion euro.

Disa detaje mbi operacionin u dhanë gjatë një konference për shtyp e mbajtur në orën 12:00, në të cilën morën pjesë Federico Cafiero De Raho, Prokurori Kombëtar Anti-Mafia dhe Kundër-Terrorizmi, Arben Kraja, prokurori special i anti-korrupsionit dhe krimit të organizuar të Tiranës, Filippo Spiezia, Nënkryetar dhe Anëtar për Italinë e Eurojust, Giuseppe Volpe, prokuror Bari, me Zëvendës Prokuror Francesco Giannella, dhe Giuseppe Governale, drejtor i DIA.

Mësohet se krahas gomones është sekuestruar dhe një sipërfaqe toke, shtatë makina dhe 15 apartamente.

Në kuadër të këtij operacioni nga 37 të kapur policia në dy shtete, 7 persona u arrestuan në Vlorë dhe 3 në Tiranë.

Hetimi zbuloi se burimet e mëdha ekonomike si rezultat i trafikimit të  drogës u riinvestuan në aktivitete të shumta si: një fabrikë kafeje, një kompani shpërndarëse pije dhe alkooli, një biznes tregtar ushqimesh, një bar-restorant dhe 15 apartamente. /abcnews.al