ONM-ja ka kërkuar që vendimet e marra nga Luan Daci si anëtar i trupës së KPA-së, të mos zhbëhen.
Në një qëndrim, Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) në përgjigje të pyetjeve të marra nga media në lidhje me procesin e vetingut u shpreh se vendimet e marra nga KPA janë vendime kolegjiale dhe individuale dhe si të tilla nuk janë të varura nga një individ i vetëm.
Të pyetur se si është e mundur që ONM-ja nuk i ka vërejtur këto çështje për të cilat akuzohet Daci, ata kanë sqaruar se kanë gjykuar në bazë të dokumentacionit të vënë në dispozicion.
Qëndrimi i ONM:
“ONM-ja vëren se në dokumentacionin dhe jetëshkrimin e dorëzuar nga aplikanti në vitin 2017, dhe që u është vënë në dispozicion vëzhguesve në atë kohë, kishte vetëm referencë për përvojën e tij profesionale si avokat dhe nuk kishte të dhëna për mandatin e tij të mëparshëm si gjyqtar”.
A është e vërtetë që ONM-ja ka hedhur poshtë një kërkesë nga një vlerësues për të marrë në konsideratë veprime disiplinore ndaj z. Daci?
Kundër z. Daci janë ngritur akuza në vëmendjen e vëzhguesve ndërkombëtarë. Ndërsa faktet i paraprinë fillimit të procesit të vetingut, vëzhguesit, sipas parashikimeve të ligjit të vetingut, nuk ishin kompetentë për të ndërmarrë veprime nga pikëpamja disiplinore. Mekanizmi disiplinor i parashikuar në ligjin e vetingut zbatohet për sjelljen e anëtarëve të institucioneve të vetingut që nga momenti i emërimit të tyre në detyrë e tutje. Sidoqoftë, ONM-ja sinjalizoi se për të vlerësuar lidhjen kriminale, personat që i paraqesin këto akuza duhet t’u drejtoheshin autoriteteve gjyqësore kompetente në Shqipëri, ashtu siç edhe ndodhi.
A duhet të revokohen të gjitha vendimet e miratuara nga Dhoma e Apelit me një anëtar të dyshuar si mashtrues?
Ne konstatojmë se puna e Dhomës së Apelit ka qenë tërësore në thelb. Vendimet e marra nga Dhoma e Apelit janë miratuar në bazë të një mekanizmi kolegjial të vendimmarrjes, nga një kolegj apeli i përbërë nga pesë anëtarë dhe për këtë arsye jo i varur nga një individ i vetëm.
Si është e mundur që ONM-ja nuk i ka vërejtur këto çështje për të cilat akuzohet zoti Daci? ONM-ja ishte pjesë e para-vetingut.
Ligji i vetingut dhe kushtetuta shqiptare i atribuojnë një rol specifik monitorimi ONM-së në procesin përpara formimit të institucioneve të vetingut. Vëzhguesit e ONM-së kishin një periudhë prej katërmbëdhjetë ditësh për të shqyrtuar të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët dhe më pas nxorën vlerësimin dhe rekomandimet e tyre të arsyetuara (sipas Nenit 7, paragrafi 7 i Ligjit 84/2016).
Siç thuhet në secilin parashtrim para parlamentit shqiptar si autoriteti emërues, vlerësimi dhe rekomandimet e arsyetuara të nxjerra për aplikantët u hartuan në bazë të njohurive më të mira të vëzhguesve, si dhe mbi bazën e informacionit të vënë në dispozicion brenda afatit të rreptë të parashikuar me ligj.
Për çështjen specifike që lidhet me mosveprimin e pretenduar të z. Dacit për t’iu nënshtruar një veprimi disiplinor gjatë kohës që shërbente si gjyqtar, ONM-ja vëren se në dokumentacionin dhe jetëshkrimin e dorëzuar nga aplikanti në vitin 2017, dhe që u është vënë në dispozicion vëzhguesve në atë kohë, kishte vetëm referencë për përvojën e tij profesionale si avokat dhe nuk kishte të dhëna për mandatin e tij të mëparshëm si gjyqtar./abcnews.al