Beauvais Oise, klub i ligës së katërt, ka bindur mbrojtësin Olsi Teqja për të nënshkruar. Futbollisti, i cili në vendin tonë ka luajtur me disa skuadra dhe së fundmi me Kukësin, kishte gjetur akordin prej ditësh dhe klubi verilindor nuk është bërë pengesë.
Sigurisht dalja nga objektivat i ka dhënë një “asist” kësaj lëvizjeje dhe Teqja një ditë më parë ka nisur edhe stërvitjen me ekipin e tij të ri në Francë. Klubi i Kukësit, ditën e sotme ka dalë me njoftim dhe e falënderon ndërkohë Teqen dhe i uron suksese në vazhdim.
“Klubi njofton se mbrojtësi Olsi Teqja nuk është më pjesë e skuadrës së Kukësit. Mbrojtësi kishte kontratë deri në fundin e këtij sezoni, por klubi ka pranuar kërkesën e futbollistit që të largohet para se të mbyllet zyrtarisht kampionati, duke mirëkuptuar dëshirën e tij për të firmosur në një kampionat tjetër.
Teqja është zyrtarisht futbollist i skuadrës franceze të Beauvais Oise. Klubi e falënderon mbrojtësin për kontributin e dhënë me fanellën e Kukësit, ku ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë dhe i uron suksese në aventurën e tij të re!”, shkruhet në njoftimin e klubit verilindor të Kukësit. /abcnews.al