Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës, pas triumfit në derbi me Partizanin deklaroi në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport: “Më kënaqin tre pikët sot. E nisëm ndeshjen keq. Nëse nuk do të merrnim ato dy penallti, do kishte pasoja. Loja ndryshoi kur Bitri doli me karton të kuq”.
“Qetësia ime? Zoti po na ndihmon dhe jam i qetë. Me rëndësi është që çunat të japin maksimumin. Kur ata e bëjnë, atëherë Zoti e përmbush pjesën tjetër. Gjithmonë ai na jep atë që meritojmë, kur ne në fushë bëjmë atë që duhet”.
“Autogoli i Idrizajt? Edhe pse fituam 5-1, nuk jam shumë i kënaqur. Kur ata ishin me një mangët, luajtëm si të barabartë. Do flas me çunat për këtë gjë”.
LEXO EDHE: VIDEO/ Rama: Derbin e vendosi arbitri, ku e keni parë diçka të tillë ju?!
“Nuk mendoj se e kemi nxjerrë jashtë loje Partizanin, janë edhe 12 ndeshje. Kjo ndeshje mbaroi, të fokusohemi te ndeshja me Flamurtarin. T’i marrim ndeshjet një e nga një. Ka edhe 12 ndeshje. Po vazhduam kështu, në fund do të bëjmë llogaritë”.
“Partizani ka cilësi. Ata bënë lojë të bukur, edhe pse humbën 5-1. Ata treguan shpirt të lartë loje dhe bënë çmos që të na hapnin punë. Kukësi ka lojtarë të mirë, që e njohin kampionatin. Ajo është arma plus. Ky është kampionati më i bukur që kur kam ardhur në Shqipëri. Nuk mund të thuash se ka ekipe të dobëta. Edhe Flamurtari e Luftëtari të hapin punë po i nënvlerësove. Do marrësh atë që meriton, nëse jep maksimumin”.
“Për arbitrat mund të flisni ju. Nuk e pashë që të na ndihmonte arbitri. Penalltitë ishin, golat ishin të rregullt. Arbitrat janë njerëz. Edhe kur kanë gabuar kundër nesh nuk kemi folur. Janë njerëz, nuk janë Zoti që të mos gabojnë. Kur janë tendenciozë duhet folur. E keni parë vetë ndeshjen dhe golat ishin të saktë”. /abcnews.al