OKB-ja bëri thirrje për ndihma në vlerë prej 1 miliard dollarësh të enjten për të ndihmuar 5.2 milionë të mbijetuarit e tërmetit më shkatërrues në historinë moderne të Turqisë, dy ditë pasi kërkoi 397 milionë dollarë për të ndihmuar gati 5 milionë sirianë në zonat veriperëndimore të vendit, të kontrolluara nga rebelët.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, u ndesh me një numër të madhe pyetjesh nga gazetarët që kërkonin shpjegime se pse thirrja për ndihmë për Turqinë u bë për të ndihmuar vetëm 5.2 milionë njerëz, kur sipas OKB-së dhe qeverisë turke më shumë se 15 milionë njerëz u prekën nga pasojat e tërmetit. Ai gjithashtu u pyet se pse apeli për Turqinë është 2.5 herë më i madh se ai për Sirinë për të ndihmuar një numër pothuajse të barabartë njerëzish.
Ai tha se apeli për Turqinë “u hartua në bashkëpunim shumë të ngushtë me qeverinë e Turqisë, e cila po udhëheq përpjekjet për të ndihmuar të mbijetuarit e tërmetit”.
“Kjo është shifra që ata kërkuan dhe që do të përqëndrohet tek njerëzit që kanë më së shumti nevojë për ndihmën humanitare, më shpejt, dhe aty ku OKB-ja mund të jetë më efektive”, tha zoti Dujarric. Ai theksoi se Turqia ka “një sistem kërkim-shpëtimi dhe humanitar shumë efikas”.
Në lidhje me pabarazinë në shumën e fondeve të kërkuara, ai tha se një nga arsyet për këtë është fakti se “ka tashmë një komunitet humanitar të mirë që ka punuar në Siri” edhe para tërmetit dhe se OKB-ja kishte lëshuar një thirrje për ndihmë humanitare prej 4.8 miliardë dollarësh për Sirinë, për vitin 2023.
“Kështu që tashmë ekziston një fond humanitar për Sirinë, por që nuk ekzistonte për Turqinë”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres njoftoi apelin prej 1 miliard dollarësh për Turqinë duke thënë se paratë do të lejojnë organizatat humanitare të rrisin me shpejtësi mbështetjen për përpjekjet e udhëhequra nga qeveria turke, duke përfshirë sigurimin e ushqimit, arsimit, ujit dhe strehimit për të mbijetuarit e tërmetit 7.8 ballësh, që goditi më 6 shkurt Turqinë jugore dhe Sirinë veriperëndimore.
/voa